Banori i fshatit Adriatik të Lushnjes, Zeni Olldashi, ka denoncuar nëpërmjet Fax News, zv.kryeministrin Erion Braçe, duke i publikuar edhe bisedat që janë zhvilluar mes tyre, për çështjen e një prone. Olldashi shprehet se; dëshiron t’i bëjë publike mesazhet, ndërsa nëse prokuroria gjen prova për tjetërsimin e pronave, mund të gjejë sipas tij materiale të tjera.
Në mesazhet mes Braçes dhe Olldashit, kuptohet se bëhet fjalë për një sipërfaqe të konsiderueshme toke në Adriatik, ku pas 20 vitesh që e ka në përdorim, qytetarti i është kërkuar personalisht, nga numri dy i qeverisë që ta lëshojë pronën, pasi do të përdoret për një investim strategjik.
Biseda e zbardhur nga Fax News
Zeni Olldashi: Nuk ka asnjë arsye që të mos ma jepni. Nuk ke justifikim që të ma marrësh.
Braçe: As më intereson hiç ça thua ti! Fakti vlen! Ndërkohë, jo në gjyq, por matanë gjyqit shko! Ka një ligj për investimet strategjike e në të është shumë e qartë për çfarë flet. Kështuqë atë që se ke përdorur kurrë, atë që në fakt e ke zënë padrejtësisht, do e lëshosh sa më parë.
Zeni Olldashi: Nuk e kam zënë, ma keni dhënë ju siç ia keni dhënë të gjithë Bashkisë Divjakë.
Braçe: Çfarë do sjellësh? Pa hë, çfarë takse paguan ti? Çfarë do sjellësh? Toka nuk është përdorim, pronësinë e ka shteti, jo ti, sidomos kur nuk e përdor fare por le bagëtinë të hajë barin që mezi mbin.
Zeni Olldashi: Ore ti sjell të gjitha ça kam paguar. Po unë pemë nuk mbjell dot as panele diellore nuk vë dot nuk jam milioner. Në përdorim ma keni dhënë, kështu që e kam unë në zotërim tani ju meqë do ma merrni, merreni por ma jepni diku tjetër jo të më lini mes rrugëve. Kam jetuar në shkretëtirë, në internim post-komunist dhe pa asnjë të drejtë, çfarë të them. T’ia tregoj varrit ato që kam hequr në atë fshat dhe tani po më shporrni si kulak. Shumë keq.
Braçe: Ore askush s’po të shporr, ke ikur dhe vetë dhe nek jeton as punon fare aty! Boll gënjeve!
Zeni Olldashi: Jam banor i qendrës Administrative Remas
Braçe: Ti je banor në Tiranë dhe i verifikuar madje.
Zeni Olldashi: Me një telefon i verifikon të gjithë ato që thashë bëje.
Braçe: Ore ti jeton në Tiranë, me shtëpi e katandi dhe dashke të pengojmë zhvillimin. Hajde ik tani.
Zeni Olldashi: Kam të drejtën të kem tokën time sipas ligjit përkatës si gjithë shqiptarët që e përfituan. Nuk kam ndërmend të bëj politikë, do ta vendosin gjykatat këtë punë zoti Braçe, përfaqësues i shtresës sociale.
Braçe: Po ç’shtresë sociale je ti me shtëpi në Tiranë. Matanë gjykatës të shkosh, boll bëre si i varfër me jetë në Tiranë.
Zeni Olldashi: Jam i dobët para izraelitëve dhe nuk kam 6 milionë euro të bëj investime. Kam një shtëpi modeste të babait.
Braçe: Ore edhe njëherë, ti jo vetëm që s’jeton në Adriatik, por ti as punon në Adriatik, madje ke kohë as që as sytë si ke hedhur Adriatikut! Zero!
Zeni Olldashi: Dje isha, kam shtëpinë aty, gjithmonë e kam pasur. Kam dhe bagëtitë bashkë me pronar Veiz Jaupin…
Braçe: S’ke fare tokë sipas ligjit. Ke tokë në përdorim të cilën se ke përdorur fare dhe ke ikur në Tiranë. S’të takon asgjë! Kaq! Po s’shtresë sociale je ti me? Kaq e thjeshtë do të jetë.
Zeni Olldashi: Unë stanin nuk e bëj në ajër e gjysmën e kam mbjellur me hasull ose tërshërë për bagëtitë, mos e anashkalo të lutem jemi dy bashkëpronarë, kemi 300 kokë dhen, nuk e di çfarë investimi duhet të bëj.
Braçe: Edhe njëherë, ti s’je fare ato E dyta, ti s’je pronar i tokës
Qytetari: Unë jam pronar i bagëtive të mia shkoj e vij të gjitha këto mund t’i vëertetoj ndryshe nuk do e zgjasja kaq
Braçe: Ore ti jeton në Tiranë dhe toka ka 25 vite djerr. Kaq. Boll tani.
Qytetari: Tregohu realist padrejtësi.
Braçe: E para ti nuk paguan asnjë taksë e boll gënjeve! E dyta rrogat janë 300 mijë lekë në muaj plus sigurime shoqërore e shëndetësore ndërkohë që një muaj më parë arriti edhe 459 mijë lekë në muaj. E treta ti si merr kurrë nga toka djerr 450 mijë lekë në muaj. E fundit, ti s’ke tokë, zero, ti e ke zaptuar dhe kaq. Toka është e shtetit. E fundit, kur të vij e të marr tokë në emrin tim, atëherë dil e bëj namin ti. Por kur toka përdoret për të zhvilluar zonën e hapur vende pune, rritur prodhimin, as që ke të drejtë e as do të japë kush të drejtë.
Zeni Olldashi: Ore do ti dërgoj të gjitha letrat, ti s’ke fakte që flet kështu do vij personalisht tek zyra… Në Elbasan janë gjithë fisi im që erdhën nga Greqia për të votuar Alfred Kokoneshin.
Braçe: Zero të punuar! Bari mbin vetë, s’ka nevojë për ty
Zeni Olldashi: E kam mbjellë grurë që nuk mbin vetë.Dhe kjo që thua ti nuk është justifikim politikani si ty për mos të të dhënë tokën. Tokën po ma merrni mua e po ia jepni dikujt tjetër e kjo është e paligjshme. Ne do të përballemi në gjyq nëse vazhdon kështu.
Braçe: Për çfarë tokash flet ti? Për ato që ke zabtuar dhe si kultivon prej 20 vitesh? Çfarë do ti? Po ligjin e bëra për ata atje në Çermë e Grabian që e kanë marrë tokën me vendim komisionesh më 1991 dhe punojnë nga mëngjesi në mbrëmje! Kush ka zaptuar, për më tepër në territor të programuar për investime strategjike, të largohet vetë!
Zeni Olldashi: Ma ka dhënë shteti zoti Braçe, babai im ka qenë punëtor në Fermë dhe mund ta vërtetoj po ç’rëndësi ka tani, ju favorizoni “Agro Iliria” jo ne që vuajtëm për 25 vite kemi mbushur ujë me gomar nga fshatrat përreth për të mbijetuar. Kemi edhe ne të drejtë të kemi një tokë dhe pse ne tokë të vdekur na takon si gjithë të tjerëve….
Braçe: s’të takon! Ndërkohë në Tiranë, nuk kam tokë të të jap. Toka në përdorim është për t’u përdorur, nuk është në pronësi dhe për t’u lënë djerrë!
Qytetari: Është një padrejtësi e madhe nuk do ta lë me kaq, do ta bëj publike dhe do ndjek rrugë ligjore unë aty kam stanet nuk mund të ma marrësh. Pastaj nuk po të kërkoj tokë në Tiranë, pse flet kot?
Braçe: Po ta bësh publike ku të duash e si të duash, e para. E dyta, ti jo vetëm se ke punuar tokën por ti nuk jeton fare aty. E treta, zona do të zhvillohet e publikon apo se publikon ti…. Ore ti s’ke asgjë, zero! Ke 25 vite që se punon atë tokë, zero prapë. Ne s’po favorizojmë kërkënd! Të pritëm ty 25 vite të bëje gjë e s’bëre. Tani ne nuk mund të pengojmë zhvillimin e asaj zone se do ti!
Zeni Olldashi: Po jemi mbi 100 familje, mere tokën aty na jep diku tjetër jo të na lësh pa tokë.
Braçe: Ore ju s’jeni 100 familje e para. E dyta, s’po të marr asgjë sepse se ke pasur kurrë, as në letra as në punë. Zero!
Zeni Olldashi: E kam pasur në punë, e kam punuar çdo vit edhe e kam me letra në përdorim.
Në lidhje me këtë bisedë të zhvilluar mes tij dhe Erion Braçes, Olldashi tha se 15 pronarë ndodhen në proces gjyqësor, ndërsa për investitorin tha se ka bërë shantazhe dhe ka marrë pronat e disa familjeve.
Sipas tij, që prej vitti 2016-të disa familje në fshat, nuk janë lejuar të shkojnë tek tokat e tyre të cilat përbëjnë rreth 60 hektarë.
Në Adriatik, prej më shumë se 30 vitesh, interesimi për familjet që jetojnë aty ka ndaluar, Një fshat me mrekulli natyre, por që po e shkatërron dora e njeriut. Ai i përket i njësisë administrative Remas, mirëpo vuan mungesën e investimeve dhe përkrahjes së banorëve sidomos atyre me mungesë të të ardhurave ekonomike, punësimin, shëndetësinë.
Familjet e mbetura aty janë të ardhura nga Gramshi, Pogradeci, Lushnja ndërsa jetojnë me shpresën se dikush do të kthejë sytë nga ata. Adriatiku ka qënë skaji më i vështirë i rrethit të Lushnjes, ku sistemi komunist mbante në izolim persona të internuar. Pas viteve 1991 familjet e internuara e braktisën fshatin, duke ja lënë ekzistencën e tij familjeve të ardhura. Në pallatet pas largimit të të internuerve, u vendosën mbi 50 familje dhe si prespektivë ekonomike kishin bujqësinë dhe blektorinë, ndaj u regjistruan dhe morën në përdorim toka bujqesore me ligjin 7501, ku sot disa prej familjeve denoncojnë shtetin se po ua merr sërish pa i pyetur. Të prekur janë 63 fermerë, ndërsa në proces gjyqësor janë 15 familje. Hektarët e zaptuar nga vetë shteti janë të rrethuara dhe ruhen me roje ku banorët, nuk lejohen fare të shikojnë as nga larg pronën e tyre.
Fshati Adriatik, ndodhet përgjatë Lagunës së Kravastasë, afër bregdetit Adriatik ku banorët hedhin edhe rrjetat për peshkim për pak të ardhura në familje. Këto familje shprehen se as me ndihmë sociale, nuk trajtohen edhe pse kanë trokitur në dyert e intitucioneve.
Banorët shprehen se fëmijët e tyre, sapo rriten largohen në në drejtim të vendeve të Bashkimit Europian, pasi nuk e shohin të ardhmen këtu. Hektarët e zëna dhe problemet fillojnë që prej vitit 2015-të dhe toka që i mbante gjallë këto familje tashmë po i kthen në robër të vetes. Larg gjithçkaje dhe larg vëmendjes jeta e tyre vazhdon, por shpresat për ndryshim janë të pakta, pasi izolimi për ta nuk është nga pandemia por nga harresa.