Zv. Kryeministri Erion Braçe, gjatë fjalës së tij në hapjen e fushatës elektorale të PS, deklaroi se kjo Partia është shtëpia e tij ku ai u fut djalë dhe sot është burrë. Kreun e qeverisë Edi Rama, Braçe e ka cilësuar si vëlla dhe si një punëtor si të gjithë shqiptarët.
Braçe u zotua se në vijën bregdetare në Divjakë, nuk do lejohet asnjë ndërtim, sikurse ka ndodhur në Qerret dhe Gjirin e Lalëzit, duke e drejtuar gishtin nga disa politikanë, ku përmendi edhe Presidentin.
“Kur po hyja pak më parë, më shkoi mendja, zemra, shpirti tek të gjithë ata shqiptarë dhe të rinj që nuk ia dolën dot në një betejë që prej muajsh është betejë e secilit prej nesh. Shpirti i tyre të prehet në paqe. Ata nuk ia dolën por ne jemi këtu për t’i dalë edhe për ta.
Një mandat nuk është një trofe, nuk është histori por një kontratë pune me secilin prej jush. Kjo është diferenca dhe diferenca vjen nga puna. Puna me nder dhe me zemër ka ndryshuar Shqipërinë. Kjo punë ka ndryshuar Fierin, Lushnjen, Mallakastren, Rroskovecin. Ne punën kemi, asgjë tjetër përveç saj. Thonë që është premtim i lodhur , por uji është jetë dhe shëndeti. Dhe shëndeti i parë.
Prandaj ujë 24 orë është e para punë që po bëjmë dhe do e çojmë deri në fund. Bujqit njerëzit e zakonshëm në Fier janë njerëzit tanë me të cilët ne punojmë. Janë ata që mbajtën Shqipërinë me ushqim. I përulem çdo bujku sot. Puna e mirë për bujqit, të ardhurat e tyre janë ekonomia e çdo familjeje atje. Janë ekonomia e çdo shqiptari kudo ku është.
Nga Divjaka nuk do tjetërsohet asnjë metër vijë bregdetare në shërbim të pushtetarëve apo presidentit siç më herët tjetërsuan Lalëzin, Qerretin. Të vijnë për të pushuar por kurrë për të tjetërsuar pronat. Nga 1 Janari kemi në fuqi ligjin e ri që tokën në përdorim e kthen në pronësi dhe çdo bujk e bën pronar dhe zot të asaj toke. PS është shtëpia ime.
Kam hyrë djalë dhe jam burrë në atë shtëpi. Për të duhet të votoni, për PS. Edi Rama është një mik, një shok, për mua është një vëlla. Unë e çmoj shumë që më ka dhënë lirinë. Është një liri që e meriton çdo shqiptar, Edi Rama është një punëtor i zakonshëm si të gjithë ju. Kam një thirrje për Fierin që është ekonomia e dytë më e madhe e Shqipërisë dua votë për secilin nga Gramoz Ruçi deri të Lindita Buxheli”, shprehet Erion Braçe.