Erion Veliaj, ishte sot në Njësinë 3, ku zhvilloi edhe një takim me ish-ushtarakë, ku theksoi se; Partia Socialiste, do të vijojë punën për rindërtimin dhe vaksinimin e qytetarëve, si dy nga sfidat më të mëdha, me të cilat është përballur vendi. Sipas Veliajt edhe pse këto dy tema janë jetike për çdo shqiptar, as PD dhe as LSI, nuk i kanë parashikuar në programet e tyre, duke lënë të nënkuptohet se do të humbin në 25 prill.
Ndër të tjera, Veliaj tha se; forca e Partisë Socialiste është mbi të gjitha fuqia morale, ndërsa PD e ka humbur moralin që kur Lulzim Basha, e përdori partinë dhe kauzat e saj për zyra, makina e vila personale.
“Sot ata nuk kanë as forcën numerike dhe as atë morale. Si mund të kesh forcë morale kur proteston për autostradën dhe sapo kape zyrat, e lë protestën?! Si ka mundësi, e bllokoi 3 vjet “Astirin”, sa mori makinën, e la. Ti nuk ke moral kur në vitin e pandemisë the do ju sulem qendrave tregtare, por sa kape vilat, e le”, u shpreh Veliaj.
Ai tha se; është absurde të vihet në diskutim puna që ka bërë Partia Socialiste dhe Edi Rama në këto 8 vite, kur pala tjetër servir rikthimin e tretë të Sali Berishës.