Gazetari Ermal Mulosmani, i ka kërkuar Prokurorisë që të marrë seriozisht deklaratat e Kryeministrit Edi Rama mbi patronazhistës, pasi tha se ata dinë gjithçka për qytetarët. Mulosmani, shkruan se Kryeministri Edi Rama, duhet të futet në burg për vjedhjen e informacioneve private të shtetasve që qeveris. Më tej shkruan se Kryeministri e cilësoi punën e patronazhistëve, si klasën e parë të kualifikimit për një karrierë politike.
Gjithashtu Gazetari zbuloi edhe patronazhistin e tij, i cili quhej Bledar Garunja dhe sipas Mulosmanit, ia kishte shkruar saktë se ai ishte votues i Partisë Demokratike për këto zgjedhje.
Postimi i plotë:
Kryeministri Rama na mallkoi sot: “Të ua merrni të keqen patronazhistëve, ata ju njohin mirë”. Dmth nuk qenka një rrjet normal hamendësimi por një shërbim i fshehtë paralel që na ndjek këmba-këmbës dhe na njeh mirë”.
Ishte pikërisht kjo akuza kryesore jona për ta: “Jemi të përgjuar, na është vjedhur privatësia”. Kryeministri ka zakon që të pohojë këto e pastaj duke e përtallur atë, a thua kështu kjo amnistohet. Në fakt pohimi i Kryeministrit: “Ata dijnë gjithçka për ju” duhej të ishte një indicie e mjaftueshme për Prokurorinë për ta thirrur e pyetur. Ne e dimë që ai flet gjithmonë me ironi por Prokuroria duhet të jetë serioze. Me këtë logjikë ai do të tallë edhe vepra më të rënda, apo trafiqe ndërkombëtare e të mos japë llogari. Ambiguiteti gjuhësor mund të jetë një mënyrë për të kaluar lumin politikisht por jo edhe juridikisht.
Nëse Rama mendon se “ata na njohin mirë” duke qenë kryetari i kupolës së patronazhistëve duhet të futet në burg për vjedhjen e informacioneve private të shtetasve që qeveris. Ky është një shkak i mjaftueshëm për Prokurorinë në çdo vend.
Sa për Patronazhistët ata janë pjesa më e fëlliqtë e racës njerëzore. Ata janë ca militantë që kanë pranuar të jenë çimka partie. Jeta e tyre është shumë e mjerë për sa kohë kanë pranuar atë status. Ngjarja më e madhe e tyre ka qenë dekonspirimi. Nuk ka mëshirë për ta fare. Kurrë një njeri me integritet nuk do të pranonte të jetë pjesë e një organizate partie që mbledh të dhëna. Kryeministri tha sot që kjo është klasa e parë e kualifikimit për një karrierë politike. E imagjinoni kush do na qeverisë? Këta nesër do na bëhen ministra. Prandaj siç na e raportuan identitetin dhe elementët tanë të privatësisë ne ashtu duhet tua kthejmë kusurin. Nuk ka respekt e as konfidencialitet për ta. Spiuni im quhej Bledar Garunja. Më kishte raportuar si votues të PD-së. Nuk e ke gabim Bledar.