Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Ervin Salianji, deklaroi mbrëmjen e djeshme se PD dhe asnjë parti, nuk vjen në pushtet nëse nuk ka partneritet të mirë me SHBA-në.
Ai tha në “Euroneës Albania” se diskutimet që po ndodhin brenda PD-së janë ato që kanë ndodhur brenda çdo partie politike pas një humbjeje dhe nuk kanë lidhje me jetën parlamentare.
Salianji theksoi se një pjesë e funksionarëve apo ish-funksionarëve të PD-së kanë nxitur vendimmarrje të gabuara për këtë forcë politike, siç është lënia e mandateve, duke iu referuar këtu ish-kryeministrit Sali Berisha.
“Gjithë diskutimet duhet të bëhen si të përmirësohet PD, Basha ka marrë një mandat 4-vjeçar në qershor. Unë shoh se kush po bën luftë dhe kush po rri në vetëpërmbajtje, bashkimi nuk vjen duke e tejkaluar me gjuhën. Në të gjitha rastet nuk ka përjashtim në PD, e ka thënë përfaqësuesja e SHBA, a do PD të ketë një marrëdhënie të qëndrueshme me SHBA? PD ka në qendër vokacionin perëndimor, dhe nuk ka vend me vokacion më perëndimor se SHBA”, u shpreh Salianji.