Pas deklaratës në Kuvend, deputeti Ervin Salianji ka reaguar sërish duke dalë kundër kreut të PD, Lulzim Basha pas humbjes në zgjedhjet e 6 marsit.
Ai me anë të një postimi në rrjetet sociale shkruan se Basha duhet të largohet dhe të hapet gara brenda në parti.
“Lulzim Basha e ka humbur mbështetjen, fatkeqësisht si kryetar partie është barrë e rëndë për opozitën! LB duhet të bëjë hap pas dhe të krijojë mundësinë që PD të zhvillojë zgjedhje”shkruan ai ndër të tjera.
Postimi i plotë në rrjetet sociale:
Rezultati i zgjedhjeve të 6 Marsit ishte katastrofik për Partinë Demokratike.
Kandidatët e PDSH në 6 bashki ishin demokratë dinjitozë, ata bashkë me demokratët bënë çdo përpjekje, por fryma popullore ishte mesazh i qartë për çdo demokrat. Opozita u dëmtua dhe mori më pak se gjysmën e votave që grumbulloi më 25 Prill, bojkoti i votuesve tregoi krizën e besimit tek opozita. Të gjithë kanë përgjegjësi për këtë situatatë, përgjegjësia kryesore është tek kryetati i partisë.
Personalisht kam bërë beteja të ashpra duke rriskuar gjithçka, kam luftuar fort për të ndihmuar që Partia Demokratike të vijë në pushtet.
Kam bërë beteja që Lulzim Basha të jetë kryetar i Partisë Demokratike sepse kam menduar që ishte rruga e duhur që PDSH të vijë në pushtet!
Sot nuk mund të mbyll sytë dhe as të fshihem, duhet ta lexojmë realitetin duke marrë çdo përgjegjësi, por përgjegjësia kryesore bie tek kryetari i partisë!
Lulzim Basha e ka humbur mbështetjen, fatkeqësisht si kryetar partie është barrë e rëndë për opozitën!
LB duhet të bëjë hap pas dhe të krijojë mundësinë që PD të zhvillojë zgjedhje!
Demokratët janë fitues, nuk pranojnë të quajnë fitore vendin e tretë! Partia Demokratike do të ribëhet, forca dhe energjia e demokratëve është e pashtershme!