Prej dy vitesh tanimë fati i “mbretit të kumar” vijon të jetë enigmë. “A është gjallë apo vdekur, Ervis Marinaj?”, kjo është një ndër pyetjet të cilat qarkullon nëpër studio televizive qysh prej 9 gushtit 2022, data e fundit kur pati informacione mbi të shumëkërkuarin e drejtësisë.
Lidhur me këtë çështje së fundmi ka folur sërish gazetarja investigative, Klodiana Lala. E ftuar në emisionin “N’Spak”, Lala është pyetur nga gazetari Ermal Qorri se çfarë po ndodh me Martinajn dhe si po vijojnë hetimet për kërkimin e tij.
Duke marrë parasysh faktin se deri më tani, teksa kanë kaluar dy vite dhe nuk ka pasur asnjë informacion për të, as një lëvizje, dyshon se ai është ekzekutuar.
“Unë kam publikuar një nga pamjet e tij të fundit para se të zhdukej, sigurisht unë nuk jam as prokurori dhe gjykatës që të them në mënyrë kategorike me fatin e tij. Marinaj ndryshe nga shumë njerëz të botës së krimit nuk erdhi nga rruga dhe u bë kriminel, ishte e kundërta, një njeri që erdhi nga banka e universitetit dhe pastaj hyri në krim.
Sigurisht që kam dyshimet e mia, besoj nuk ka hetime për atë rast, fakti që autoritetet shqiptare ia kanë lënë një Prokurorie të vogël do të thotë që mendoj se nuk ka pasur ndonjë interes të madh për ta trajtuar këtë çështje.
Por, fakti që po kalon kaq shumë kohë dhe nuk ka asnjë të dhënë, lëvizje, dyshimet më çojnë që Ervis Marinaj mund të jetë vrarë. Këto janë dyshimet që unë ngre për këto arsye që unë them.
Por, nuk guxoj të them që kjo është kështu se e them unë, duhet të kem provë. Di që ka pasur kërkime në zonën e jugut, se kishte dyshime se mund të ishte vrarë dhe hedhur në det.
Kam qenë atje, ka pasur kërkime nga polumbarët, por për fat të keq për fatin e tij ende nuk dihet asgjë”, tha Lala, teksa më tej e pyetur nëse ka pasur sinjalizime për të u shpreh se janë disa raste të cilat ka shkuar ti verifikojë, mirëpo fatkeqësisht nuk ka arritur të dalë me prova finale për të “zbërthyer” fatin e “mbretit të kumarit”.
“Kam pasur një sinjalizim për kërkimet që po kryheshin, kam pasur sinjalizim për të dhëna që e lidhin me zonën e Durrësit, po ashtu kam shkuar kam vajtur kam bërë verifikime por skam shkuar te ajo prova finale që të them kjo ka ndodhur me Martinaj”, shtoi Lala.