Analisti Baton Haxhiu u shpreh mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Shock’ se Escobar-it nuk guxon të dalë jashtë tri gjërave të cilat i ka thënë Blinken dhe Departamenti Amerikan i Shtetit. Haxhiu shtoi se “pika më e qartë e ardhjes së Escobar në Shqipëri është vizita te Lulzim Basha”.
“Fjalia e tij që Lul Basha së shpejti do të vijë në Uashington- ky është partner i yni i të ardhmes. Dhe qartësim më të madh së kjo nuk ka”, u shpreh Haxhiu. Edhe analisti Andi Bushati pranoi që ftesa e Escobar për takim me Bashën në SHBA, është mbështetje për të.
“Jam dakord që fakti që Escobar tha që pres ta takoj në Uashington është një përkrahje indirekte për Bashën”, tha Bushati.
Zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i shoqëruar nga ambasadorja Yuri Kim zhvilloi një takim me kreun e Partisë Demokratike në selinë blu. Në një komunikim me mediat në fund të takimit, zyrtari amerikan vlerësoi angazhimin e opozitës në luftën korrupsionit dhe ftoi kryedemokratin Basha për një vizitë në Uashington.
“Isha i lumtur që pata mundësi të takohem me opozitën dhe ata kanë shprehu angazhimin ndaj NATO-s, integrimin në BE dhe sfida kundër korrupsionit. Jemi të kënaqur që jemi pjesë kësaj, përfshirë edhe sanksionet kundër korrupsionit. Por për të kthyer këtë në realitet, do të nënkuptojë një përkushtim të fortë nga institucionet shqiptare. Prese me kënaqësi vazhdimin e marrëdhënieve me opozitën. Gjithashtu, pres me kënaqësi ta takoj z. Basha në Uashington sa më shpejt”, u shpreh Escobar