Është shtyrë në Gjykatën e Posaçme seanca e pajtimit ndërmjet deputetes së Partisë Demokratike Jorida Tabaku dhe kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj. Shkak për shtyrjen e seancës është bërë mungesa e Veliajt, ndërkohë që Tabaku nuk ka pranuar pajtimin, dhe procesi do të vijojë edhe pa praninë e palëve.
Në një dalje për mediat jashtë gjykatës, Tabaku tha se Veliaj ka shpifur gjatë fushatës ndaj saj, dhe Gjykata duhet të dëshmojë drejtësi edhe ndaj politikanëve të lartë.
“Unë e kuptoj që politika e ditës hedh shumë baltë, por në fund të ditës politika duhet të ketë moral. Sa herë që ti gënjen për një kundërshtar duhet të përballesh me atë, gjatë fushatës zoti Veliaj bëri disa deklarata të pavërteta ndaj personit tim, unë ja lë në dorë drejtësisë së re që të veprojë, dhe të tregojë që merr vendim dhe ndaj njerëzve të pushtetshëm.
Nuk mund ta kalojmë çdo gënjeshtër që ne hedhim pa asnjë pasojë. Edhe pse e dimë që zoti Veliaj është i përfshirë në vepra korruptive, por kemi folur vetëm me shifra dhe jo me fjalë”, u shpreh Tabaku.
Përveç Tabakut, Veliajn e ka paditur për shpifje edhe deputetja Grida Duma, e cila po ashtu nuk pranoi pajtimin disa ditë më parë me kryebashkiakun e Tiranës.