Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, në fjalën e mbajtur në Sesionin e Posaçëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, për luftën kundër korrupsionit, deklaroi se përparimi dhe mirëqenia e një vendi ndikohen ndikohen thellësisht nga pengesat e shkaktuara nga praktikat korruptive në të gjitha nivelet e qeverisjes, ndërsa shtoi se qeveria shqiptare është e ka vendosur luftën kundër korrupsionit në krye të agjendës së saj politike.
“Shqipëria ka vuajtur gjerësisht nga ekzistenca e fenomeneve korruptive në dekadat e fundit, çka ka penguar procesin e demokratizimit, rritjen e ekonomisë, cilësinë e ofrimit të shërbimeve dhe ecurinë e të gjithë shoqërisë në tërësi. Për këtë arsye, Qeveria Shqiptare e ka vendosur luftën kundër korrupsionit në krye të agjendës së saj politike, duke ndërmarrë hapa konkretë përmes politikave ndërsektoriale, ashtu si edhe mekanizma të shumë niveleve për ta luftuar atë. Ne jemi të vendosur ta çrrënjosim korrupsionin dhe të forcojmë shtetin e së drejtës dhe demokracinë në vendin tonë”, është shprehur Gjonaj.
Gjithashtu ajo theksoi së gjatë pesë viteve të fundit Shqipëria ka ndërmarrë reformën më rrënjësore në sistemin e drejtësisë, e cila kishte për qëllim të rikthente besimin e qytetarëve në një sistem gjyqësor të bazuar në integritet, transparencë, profesionalizëm, efikasitet dhe mbi të gjitha, pavarësi.
Sipas Gjonajt, Reforma në Drejtësi ka shënuar një pikë kthese në drejtim të intensifikimit të përpjekjeve në luftën kundër korrupsionit.
“Zbatimi i reformës në Drejtësi në Shqipëri ka qenë një përpjekje tejet sfiduese. Pavarësisht kësaj, përmes përkrahjes së çmuar të partnerëve tanë ndërkombëtarë, BE-së dhe SHBA-së, ne arritëm të ngrihemi në një nivel të denjë për këtë sfidë. Përkrahja e partnerëve tanë ndërkombëtarë ka qenë vendimtare duke na mundësuar që të qëndrojmë të vendosur dhe besnikë ndaj vizionit tonë: ndërtimit të një sistemi drejtësie, i cili do t’i japë fund pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Është pikërisht ky sistem i përtëritur drejtësie që do të shërbejë si baza e ndërtimit të institucioneve të forta e të qëndrueshme”, ka thënë më tej Gjonaj.
Gjonaj u shpreh besimplotë për vullnetin e qeverisë shqiptare për të ndërmarrë të gjitha hapat konkretë që nevojiten për të avancuar në këtë betejë.