Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Evis Kushi, tregon se është zhvilluar një diskutim me përfaqësues të Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, i cili është edhe takimi i parë i konsultimit publik, për hartimin e kësaj strategjie.
Sa i përket arsimit parauniversitar, Ministrja shpjegon pikat kryesore që do të jenë në fokusin e strategjisë: “Në fokus kryesor të kësaj strategjie për arsimin parauniversitar do të jenë gjithëpërfshirja dhe barazia në arsim, digjitalizimi, meritokracia dhe zhvillimi profesional i mësuesve, menaxhimi dhe sigurimi i cilësisë në arsim, si dhe shtimi i vëmendjes për zotërimin e kompetencave të të nxënit gjatë gjithë jetës“.
Në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Arsimit 2021-2026, Kushi shpreh angazhimin e plotë të MASR për të ndërtuar një sistem arsimor sa më gjithëpërfshirës, që trajton nevojat individuale të të gjithë fëmijëve, nxënësve e studentëve.