Forcat e Armatosura kanë nisur stërvitjen ‘Kompaktësimi 2018’, e cila përveç përgatitjes dhe trajnimit të efektivëve të batalionit të xhenios për kryerje punimesh me mjete të rënda në terrene malore dhe kushte të vështira të motit, do t’u vijë në ndihmë edhe komunitetit.
Gjatë kësaj stërvitjes në njësinë administrative Muhur të Dibrës, xhenierët e Forcave të Armatosura testuan kapacitetet për reagime të menjëhershme në rastet e emergjencave civile dhe njëkohësisht përmirësuan infrastrukturën rurale në zonë. Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka inspektoi nga afër stërvitjen dhe përgëzoi xhenierët, jo vetëm për angazhimin në këtë stërvitje, por edhe për rehabilitimin e 16 km rrugë rurale nga Muhuri në Selishtë.
Këto stërvitje i keni të zakonta për t’u mësuar profesionin oficerëve tanë më të rinj, për përmbushjen e misionit të FA-ve, por edhe për të evidentuar dhe për të theksuar bashkëpunimin civilo-ushtarak dhe për t’i ardhur në ndihmë komunitetit. Kjo stërvitje në fakt i vjen në ndihmë gjithë këtij rajoni me përmirësimin e infrastrukturës këtu, duke lidhur edhe shkollat edhe qendrat shëndetësore, dhe pastaj lehtëson lëvizjen e banorëve nga këtu me akset kryesore, duke qenë se është një zonë goxha e izoluar edhe dimri mund të jetë shumë i vështirë.