Facebook thotë se ka fshirë 3 miliardë llogari të rreme nga tetori i vitit të kaluar deri në mars të këtij viti, dy herë më shumë se gjashtë muajt e mëparshëm. Raporti më i ri i Facebook-ut, megjithatë nuk tregon edhe sa llogari tjera kanë mbetur pa u fshirë.
Rritja u numrit të llogarive të fshira tregon sfidat me të cilat përballet Facebook në heqjen e llogarive të krijuara nga kompjutera për të përhapur virusë, lajme të rreme dhe materiale të tjera të pakëndshme, tha kompania në një deklaratë.
Facebook thotë se shumica e llogarive të rreme janë bllokuar “brenda disa minutave” të krijimit të tyre, para se dikush t’i shihte dhe t’i raportonte ato në kompani, njofton REL.
Facebook ka 2.4 miliardë përdorues aktivë mujorë. Shumica e llogarive të larguara nuk do të llogariten në këtë shifër. Megjithatë, kompania vlerëson se 5% e përdoruesve aktivë të saj mujorë janë të rremë.
Kjo masë e Facebook-ut është pjesë e përpjekjeve të kompanisë për adresimit e shqetësimeve, lidhur me privatësinë dhe gjuhën e urrejtjes në mediat sociale.