Rrjeti më i madh shoqëror në botë, Facebook ka pranuar se ka grumbulluar rreth 1.5 milionë kontakte e-mail të përdoruesve, pa pëlqimin e tyre. Sipas shpjegimit të dhënë, gjithçka është bërë jo qëllimisht, ndërsa listat e kontakteve ishin ngarkuar pa dashje, pas një ndryshimi të dizajnit, dy vjet më parë. Një zëdhënës i Facebook tha të mërkurën se firma nuk e kuptoi se kjo po ndodhte deri në prill të këtij viti, kur ndaloi ofrimin e verifikimit të fjalëkalimit me email si një opsion për njerëzit që u regjistruan në Facebook për herë të parë.
“Kur pamë hapat që njerëzit po kalonin për të verifikuar llogaritë e tyre, gjetëm se në disa raste kontaktet e emaileve të njerëzve u ngarkuan pa dashje në Facebook kur krijuan llogarinë e tyre”, shtoi zëdhënësi.
Kompania tha se listat gabimisht të ngarkuara të kontakteve nuk ishin ndarë me askënd jashtë Facebook dhe se kompania ishte në proces të fshirjes së tyre.
Kjo nuk është hera e parë që Facebook shënon një tjetër dështim në cështje të privatësisë. Rrjeti që ka më shumë se dy miliardë përdorues në të gjithë botën, gjatë 18 muajve të fundit është përfshirë në skandalin e të dhënave të Cambridge Analytica.
Shefi ekzekutiv, Mark Zuckerberg i është përgjigjur kritikave duke premtuar se shumë shpejt do të prezantojë masa shtesë në privatësinë e platformës.