Prindërit e Konstandin Katcifas, Vasilika dhe Jani Katcifa, i kanë dërguar një letër kryeministrit të Greqisë, Aleksis Cipras, ku i shprehin indinjatën pasi sipas tyre, policia greke vrau sërish djalin e tyre.
“faktin që Policia Greke përdori pikërisht të njëjtën mënyrë që përdori Sigurimi shqiptar kundër grekëve në kohën e diktaturës komuniste për të vrarë karakterin e djalit tonë në vend që të hetonte vrasjen e djalit tonë që ishte dhe qytetar grek, ushqeu mediat në Greqi me të dhëna të rreme dhe rrjedhje informacioni, duke bërë që mediat të krijojnë një imazh të pavërtetë të personalitetit dhe karakterit të djalit tonë”, – shkruhet në letrën e familjes Katcifas.
Në letër, prindërit kërkojnë ndërhyrjen e kryeministrit grek që të zbardhet vrasja e të birit.
Po ashtu, letra shpreh ankesa edhe për ato që familja e viktimës i quan shkelje të autoriteteve shqiptare ndaj të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri.
“Ne u lindëm dhe u rritëm në fshatin Vuljarat të Dropullit. U përballëm me shtypjen nga regjimi komunist diktatorial i Enver Hoxhës deri në vitin 1990.
Këtu lindi djali ynë i vetëm Konstandini dhe tre vajzat tona. Me rënien e regjimit diktatorial familja jonë ashtu si shumë të tjera, kërkuam në Greqi lirinë dhe respektin që na takonte. Gjetëm mbështetje, dashuri dhe respekt nga vëllezërit e motrat tona në Greqi. Por njëkohësisht u përballëm me indiferencën e zyrave të shtetit grek. Situatë që na lëndoi. Në këto rrethana rritëm fëmijët tanë, duke mos harruar kurrë origjinë tonë dhe detyrimin që kemi ndaj atdheut”, – vijon letra.
Më tej, në të shkruhet se familja e tyre krenohet me Konstadinin, si dhe hidhen akuza për policinë shqiptare që ekzekutoi djalin e tyre.
“Djali ynë nuk vdiq nga ndonjë sëmundje dhe as nga ndonjë aksident, por për besimin e tij, për padrejtësinë që po e mbyste. Padrejtësi që po mbyt të gjithë grekët e Epirit të Veriut (Vorio Epirou). Dali ynë nuk donte të vriste askënd. Ai nuk hapi zjarr kurrë kundër vrasësve të tij. Në të kundërt, vrasësit e ekzekutuan pa gjyq”, – thuhet më tej në letër.
Kurse më pas tregohet se çfarë ndodhi pas vrasjes:
“Ndërsa djali ynë ishte i vdekur, forcat e policisë shqiptare mësynë në shtëpinë tonë. Na kërcënuan, na dhunuan, na goditën. Djali ynë u vra në mesditë dhe ne e morëm vesh vetëm nga mediat në mbrëmje”.
Më tej në letër shkruhet:
“Zoti kryeministër, Konstandini ynë nuk kthehet më në shtëpi, por ai nuk iku kurrë. Është këtu për të na kujtuar detyrimin që ne kemi ndaj atdheut”.
Në vijim prindërit shpjegojnë përse po i shkruajnë kryeministrit grek:
“Vendosëm t’ju shkruajmë për dy arsye.
Së pari kërkojmë ndihmë që të zbardhen rrethanat e vrasjes së djalit tonë. Deri tani nuk na është dhënë asnjë informacion ligjor mbi zgjidhjen e çështjes. Nuk na lejuan të bëjmë ekspertizë mjekoligjore. Më shumë se dhjetë ditë mbajtën peng trupin e djalit tonë pa asnjë arsyetim zyrtar. Ende dhe sot nuk kemi marrë asnjë dokument që ne të mund të veprojmë ligjërisht. Kërkojmë nga ju të merrni përsipër që të zbardhet e vërteta për djalin tonë dhe të bëni gjithë sa mundni që të arrestohen vrasësit e tij.
E si të mos mjaftonte kjo, u përballëm dhe me mediat dhe fyerjet ndaj nesh.
Por ne nuk mund të pranojmë faktin që Policia Greke përdori pikërisht të njëjtën mënyrë që përdori Sigurimi shqiptar kundër grekëve në kohën e diktaturës komuniste për të vrarë karakterin e djalit tonë në vend që të hetonte vrasjen e djalit tonë që ishte dhe qytetar grek, ushqeu mediat në Greqi me të dhëna të rreme dhe rrjedhje informacioni, duke bërë që mediat të krijojnë një imazh të pavërtetë të personalitetit dhe karakterit të djalit tonë”, – shkruhet në vijim në letrën e familjes Katcifas.
Në këtë pikë, prindërit kërkojnë nga kryeministri grek që ai të hetojë këtë që sipas tyre ka ndodhur.
Më tej në pikën e dytë të kërkesës, prindërit e viktimës thonë se edhe aktualisht po përballen me klimë terrori në vendbanimin e tyre.
“Nga dita e vrasjes, i kanë mbushur fshatrat tona me policë të fshehtë dhe policë me uniforma për të mbjellë frikën tek ne. Çfarë duan të arrijnë me këtë? Kush është qëllimi i gjithë këtyre që po ndodhin?”, – shtrojnë pyetje prindërit e Katcifas.
Pas kësaj letre, interes përbën se si do të reagojë kryeministri grek Aleksis Cipras dhe nëse do të kryejë ndonjë veprim sikurse kërkohet në letrën e familjes Katcifas.