Një familje që përfiton ndihmë ekonomike do ta humbasë atë për 6 muaj nëse një prej anëtarëve të saj në moshë pune refuzon të ndjekë kurset profesionale. Qeveria ka përgatitur një draft të ri, i cili ndryshon ligjin e ndihmës ekonomike duke përcaktuar dhe rastet kur familjet përfituese do të përjashtohen nga asistenca sociale. Sipas draftit, nëse një prej anëtarëve kryen ndarje të qëllimshme nga familja e tij, kur jeton në të njëjtën strehë pa krijuar kurorë të re atëherë kjo familje do të humbasë automatikisht ndihmën ekonomike për 6 muaj. Po kështu do të përjashtohen për një periudhë gjashtë mujore, familjet që fshehin informacion, bëjnë deklarime të rreme dhe refuzojnë verifikimin e tyre social ekonomike nga strukturat e shtetit.
Paralelisht do të humbasin ndihmën po për gjashtë muaj familjet të cilat kanë anëtarë në moshë pune, të cilët nuk rezultojnë punëkërkues të papunë pranë zyrave të punës, të punësuar apo të vetëpunësuar pranë strukturave të tatimeve.
Kush e humbet ndihmën një vit
Për qytetarët që janë në ndihmë ekonomike, por refuzojnë ofertat për punësim nga zyrat e shtetit masat ndëshkuese janë edhe më të rënda, ben te ditur SYRI.net.
‘Kur anëtari i një familje në ndihmë ekonomike është në moshë aktive pune dhe refuzon ofertat e përshtatshme për punë të zyrave të punës, atëherë e gjitha familja përjashtohet për 1 vit nga përfitimi i ndihmës ekonomike,’ thuhet në projektligj.
Të tjera kategori që e humbasin ndihmën për një vit janë ato që kanë në përbërje të tyre anëtarë, të cilët punësohen dhe ndërpresin marrëdhëniet e punës pa shkaqe të arsyeshme, me përjashtim të rasteve kur zgjidhja e kontratës bëhet nga ana e punëdhënësit.
Të njëjtin ndëshkim do të kenë edhe familjet, të cilat bëjnë dy herë deklarime të rreme apo kanë kushte të mira social ekonomike.