Abazovic, një nga figurat më të lakuara në politikën malazeze sidomos pas deklaratave të tij se Skënderbeu është serb, përcaktoi fatin e qeverisë së re në Malin e Zi pasi zgjedhjet e së dielës nuk prodhuan një shumicë të mjaftueshme për të krijuar qeverinë e re.
Zgjedhjet parlamentare të mbajtura ditën e dielën në Malin e Zi, nuk prodhuan një fitues të qartë edhe pse partia e udhëhequr nga presidenti Milo Gjukanovic siguroi një epërsi të vogël, vetëm 35% e votave, krahasuar me 32.5 % të aleancës opozitare.
Mbrëmjen e djeshme u mbajt një takim i liderëve të koalicionit, “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, “Paqja është kombi ynë” dhe “E zezë dhe e bardhë”, Zdravko Krivokapic, Aleksa Becic dhe Dritan Abazovic, i cili do të formojë Qeverinë e ardhshme të Malit të Zi.
Fati i kreut të qeverisë në vend duket se u përcaktua nga shqiptaro-malazezi, Dritan Abazoviç. Aktualisht kryetar i grupit politik URA, i përbërë kryesisht nga serbo-malazez ai hyri në zgjedhje me platformën në gjuhën serbe “Crno na Bijelo” apo “E zeza në të bardhë”.
Por, kush është Dritan Abazoviç?
Ai lindi në vitin 1985 në Ulqin në një familje shqiptare, u diplomua në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës dhe po aty në 2019 përfundoi doktoraturën në Fakultetin e Shkencave Politike.
Në vitin 2011, ai jetoi në Shtetet e Bashkuara ndërsa mori pjesë në programin e Departamentit të Shtetit.
Në vitin 2010, ai botoi librin e tij të parë “Kultura kozmopolitane dhe drejtësia globale”. Flet rrjedhshëm gjuhën malazeze, angleze dhe shqipe.
Deklarata e tij vitin e kaluar se Skëndërbeu është serb, shkaktoi valë të shumta zemërimi në rrjetet sociale”.
Në një replikë me kritikët e tij, Abazoviç tha se sulmet i vinin sepse i ka shpallur luftë mafies në pushtet dhe se çfarë del nga prindër serb nuk mund të jetë shqiptar.
Abazoviç ishte një nga themeluesit e partisë politike ‘Mali i Zi Pozitiv‘ në 2012, partia ne zgjedhjet e para fitoi 7 nga 81 vende, duke e bërë Abazoviçin anëtarin më të ri të Parlamentit të Malit të Zi.
Më 2014, pas një përçarje në parti, Abazoviç u largua nga‚ ‘Mali i Zi Pozitiv‘, duke shërbyer si një deputet i pavarur përpara se të bashkohej me Aksionin e Reformës së Bashkuar (URA) të themeluar në 2015.
Ai aktualisht është Kryetar i URA dhe personi i cili do të ketë në duar fatin e qeverisë së re në Malin e zi.
Në një intervistë para zgjedhjeve ai tha se votat e tij do të bëjnë diferencën, dhe e quajti veten si faktor përcaktues në dhënien fund të “sundimit të mafies në Malin e Zi”.