E di që është vonë copëzat e zemrës për t’i bërë bashkë edhe një herë,
por ama për zemrën kurrë s’është vonë, dhimbjen dhe pendimin për ta ndjerë.
Nuk isha aq i denjë sa ta meritoja parajsën, e as aq i fortë sa ta duroja ferrin.
Por nga dëshira që bukën ta ndajë me ty, e përqafova edhe tmerrin.
E fatin tim vetë e shkruaj, vetë e gëzoj e vetë e vuaj.
Fshehtësinë tonë të përbashkët si varri trupin e ruaj.
Askujt nuk i flas për bukën që me lotë e gatuam,
ne patëm fuqi të qeshnim edhe atëherë kur s’u gëzuam,
edhe tani më qeshet me dështimet e ngadhënjimet tona.
Gërmoj në varrin e kujtimeve e të palënduar të gjej,
dhe gëzohem që sërish mall e pikëllim për ty ndjej.
Gëzohem që shpirti prapë më është mallëngjyer.
Gëzohem që përsëri ndjehem zemërthyer,
dhe me kaq po e mbyll sonte, diç tjetër nuk kam.
E ju që kohën s’përtoni me mua për ta ndarë,
Këndojeni një Fatiha për shpirtin tim gjynahqar.