Deri më tani, Vetting-un e kanë kaluar vetëm gjysma e prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe mandati i shkallës së parë të vetingut, mbaron vitin tjetër. Në këtë situatë, Taulant Balla, ka hedhur idenë e zgjatjes së mandatit të komisionit, duke ndryshuar Kushtetutën, por ish-kryetari i Komisionit të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj ndan një tjetër ide.
Deklarata e Xhafajt:
“Ide mund të ketë shumë, nuk ka asgjë të keqe. Por të jesh e sigurt, nuk ka pse t’i vishen këto ide Partisë Socialiste. Mund të ketë njerëz brenda grupit parlamentar, ose brenda PS që mund të kenë ide të tilla apo ide nga më të ndryshmet edhe për këtë aspekt. Por duhet të jemi të kujdesshëm kur hedhim hapa të tillë. Së pari, duhet një analizë për të kuptuar si ka ecur procesi, të cilat janë problematikat që janë shfaqur, sa garanci kemi këtë pjesë dhe si do të vazhdojmë më tej që ka opsione të ndryshme; zgjatja e mandatit apo përmbyllja e këtij procesi për KPK dhe vazhdimi normal me dy këshillat siç parashikon edhe ligji për vettingun, ose një miksim i mundshëm i tyre”, shprehet Xhafaj.