Qeveria holandeze nuk është e detyruar që të angazhohet në mënyrë aktive për të riatdhesuar gratë dhe fëmijët me shtetësi holandeze që iu bashkuan grupit terrorist ISIS në Siri. Vendimi erdhi nga gjykata e apelit në Hagë që rrëzoi vendimin e një gjykatë të një shkalle më të ulët që i kërkonte ekzekutivit të kthente këta njerëz nga kampet e Sirisë.
Sipas të dhënave, të gjithë fëmijët që kanë shtetësi holandeze dhe që ndodhen në Siri janë nën moshën 12 vjeç. Qeveria e kryeministrit Mark Rutte e apeloi vendimin e marrë më 11 nëntor duke cituar çështjet e sigurisë kombëtare dhe rreziqet me të cilat mund të përballeshin zyrtarët holandezë që do të shkonin për të gjetur gratë dhe fëmijët. Avokati i familjeve të këtyre shtetasve holandeze që ndodhen në kampin Al Hol që drejtohet nga milicët kurdë që kanë luftuar kundër ISIS u shpreh i shqetësuar se gratë dhe fëmijët po përballeshin me kushte të vështira jetese dhe se stina e dimrit do ta ndërlikonte edhe më tej situatën.
Ndërsa Holanda nuk është e detyruar që të angazhohet për riatdhesimin e këtyre njerëzve, qeveria britanike riatdhesoi tre fëmijë të vegjël jetimë që ndodheshin në kampin Al Hol. Kryeministri Britanik Boris Johnson e quajti operacionin e kthimit të fëmijëve në Angli të suksesshëm.