Fernando i OMN dhe Antoneta ‘110 milionë euro-she’ e Edi Ramës!

0
20

 

Vëzhguesi në Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, (ONM), Ferdinando Buatier de Mongeot është ulur dhe ka shkruar 11 faqe raport, për të mbrojtur  largimin nga detyra dhe sistemi të prokurores Antoneta Sevdarit. Janë 11 faqe të cilat nëse do ta arrijnë qëllimin për të shpëtuar prokuroren që Rama dikur e ka urdhëruar të gëlltisë një “lugë çorbë të prishur”, mund të shënjojnë edhe një rekord botërorë të padëgjuar më parë; 11 faqe me vlerë plot 110 milion Euro, ose një milion për çdo fletë format e shkruar nga ky specialist ndërkombëtarë, për Reformën në Drejtësi.

Antoneta Sevdari u përjashtua nga sistemi në muajin Shkurt, pas një vendimi të Komisionit të Posaçëm të Apelimit, edhe pse kishte kaluar fazën e parë të vettingut dhe madje ishte katapultuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Ajo që ra në sy ishte se mes të gjithë anëtarëve të KPA-së në mbrojtje me votë kundër, i doli vetëm ish-prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, e cila prej kohësh nuk e fsheh afrimitetin me Edi Ramën. Në raportin e tij përfaqësuesi i ONM pranë komisionit të “Vettingut”, përpiqet që ta mbështesë mbrojtjen “ e çuditshme” në dy kolona; justifikimin e pasurisë dhe performancën profesionale. Në të dyja rastet, kemi të bëjmë me një mbrojtje teje të dobët.

Pasuria që rritet, si `lule në saksi`

Për sa i përket pasurisë, Ferdinando Buatier de Mongeot, thotë se KPA ka gabuar në rastin e Sevdarit.

”…Në lidhje specifike gabimet e Sevdarit janë të një rëndësie të vogël, nga pikëpamja subjektive dhe objektive…”, shkruan ai dhe konkludon se, “..të gjitha shkeljet e pretenduara financiare i referoheshin Sevdarit vetëm në mënyrë indirekte, nëpërmjet bashkëshortit…”.

Domethënë sipas këtij specialisti të huaj që po ndërhyn në mënyrë arrogante në një vendim gati unanim të Komisionit të Posaçëm të Apelimit pasuria “e burrit”, edhe pse rezulton se nuk ka paguar taksa dhe ka raportuar si “fitim” xhiron totale të biznesit të tij për të rritur artificialisht pasurinë “e ligjshme” të familjes, nuk quhet.

Por nëse i hedhim një sy pasurisë së deklaruar të prokurores Antoneta Sevdari dhe familjes së saj, që nga viti 2002 kur është futur në sistemin e drejtësisë, ajo është rritur “si lulja në saksi” e ujitur me dashuri prej `punës` së saj.

Sevdari e ka filluar karrierën si prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës në vitin 2002 dhe në vitin 2013 ajo është transferuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku ka qenë pjesë e task-forcës kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit.

Prokurorja Antoneta Sevdari kishte një pasuri të deklaruar prej 4.4 milionë lekë në vitin 2003, kur deklaroi për herë të parë në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Por në fund të vitit 2017 pasuria familjare e saj kap një vlerë prej 20.2 milionë lekë (gjithmonë flasim për të reja), duke regjistruar një rritje të pasurisë bruto me 4.6 herë.

Duke ju referuar medias BIRN, e cila kreu kontrollin aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit të pasurisë së prokurores Sevdari, nga analiza e deklaratave u konstatuan tre ‘flamuj te kuq’.

Subjekti gjatë periudhës deklaruese ka deklaruar të ardhura dhe detyrime të lidhura me aktivitetin privat të bashkëshortit, të cilat duhet të pasqyrohen në pasqyrat financiare të aktivitetit tregtar dhe nuk janë objekt deklarimi. Në vitet 2009, 2010 dhe 2011 është deklaruar xhiroja vjetore dhe jo fitimi neto nga aktiviteti i bashkëshortit si person fizik, duke rritur të ardhurat vjetore në mënyrë artificiale. Gjithashtu, si burim për shtimin e pasurisë familjare, janë përdorur edhe likuiditetet në bankë në emër bashkëshortit si person fizik.

Por të gjitha këto konstatime që i mjaftuan KPA-së për ta nxjerrë përfundimisht nga sistemi Sevdarin, për “specialistin” e OMN Ferdinando Buatier de Mongeot nuk qëndrojnë. Tre “famujtë e kuq” në pasurinë e Sevdarit janë ku e ku më alarmues se copëzat (shpesh me fakte qesharake dhe absurde) në flamujtë e gjetur te dhjetëra prokurorëve të tjerë, që janë flakur pa mëshirë nga sistemi deri më tani dhe OMN nuk ka thënë asnjë fjalë.

Profesionalisht/ Një firmë, 110 milion euro dëm shqiptarëve

Në këtë raport-mbrojtje prej 11 faqesh Ferdinando Buatier de Mongeot i OMN, përveç pasurisë trajton edhe vlerësimin e aftësive profesionale. Sipas tij edhe në këtë aspekt ka qenë “i gabuar”, vlerësimi nga ana e KPA-së, kur votoi largimin e Sevdarit nga sistemi.

Ai shkruan se e vetmja mangësi e gjetur në vlerësimin e aftësisë, është me “rëndësi të kufizuar subjektive dhe objektive” dhe kjo mund të korrigjohet edhe me një kurs 1 vjeçar trajnimi!

Bëhet fjalë për një rast kur kjo prokurore nuk ka ushtruar enkas të drejtën e apelimit, për një çështje që gjykata e ka nxjerrë krejtësisht blof. Por shikoni justifikimin qesharak, që bën përfaqësuesi i OMN-së.

“Është shumë e rëndësishme që vlerësimi negativ duhet të jepet vetëm në rast të gabimeve thelbësore dhe serioze dhe/ose nëse ekziston. Në rastin në fjalë, mangësia e identifikuar nga Dhoma e Apelit konsiston në një çështje të vetme (dështimi i vlerësuesit të parashtrojë ankesë kundër vendimit nr. 2047, datë 21.06.2016 të Gjykata e Rrethit Tiranë). Në veçanti, vlerësuesi pas afatit ligjor për parashtrimin e ankesës kishte kaluar një kërkesë në Gjykatë për të rivendosur afatet ligjore për shkak se, duke pretenduar se mosveprimi ishte për shkak të forcës madhore, ajo duhej të kujdeset për anëtarët e sëmurë të familjes…”, shkruan në raportin mbrojtës përfaqësuesi i OMN. Dhe përmbyll; “…duke u nisur nga sa më sipër, konsideroj se rrethanat e çështjes janë të pamjaftueshme për të arritur në përfundimin se Sevdari nuk mund të gëzojë besimin e publikut për të qëndruar në Gjyqësor. Kështu që është pa baza vendimi për ta penalizuar Sevdarin me shkarkim…”.

Por le ta tejkalojmë këtë rast dhe madje edhe pasurinë e dyshimtë dhe të pajustifikuar të “mbledhur” prej bashkëshortit të prokurores Sevdari. Aktualisht opinioni publik është teje i shokuar, nga një skandal i madh. Bëhet fjalë për atë “opinion publik” për të cilit Fernando i OMN thotë, se Sevdari gëzon besim….

Historia skandaloze është kjo; Shqiptarët duhet ti paguajnë biznesmenit italian Francesko Beketi si fillim 110 milion euro dëmshpërblim, vetëm e vetëm se kryeministri Edi Rama nuk e donte më nëpër këmbë, këtu në Shqipëri. Veçanërisht, televizionin e tij. Për të arritur këtë i duheshin edhe ca letra “ligjore” nga prokuroria dhe gjykata. Pikërisht ato “letra” të bëra keq kundër Beketit, sot i kushtojnë shqiptarëve 110 milion euro dhe shifra pritet të shkojë diku te 300 milion, pas gjyqeve të tjera në Strasburg.

Në fillim të muajit qershor 2015 pas një fushate të paprecedentë të kryeministrit Edi Rama kundër pronarit të televizionit Agon Channel, Francesko Beketi, prokurorja Antoneta Sevdari dorëzoi te gjyqtarja  Manjola Bejleri kërkesën për të arrestuar me burg biznesmenin italian. Bejleri hodhi kundër firmën në krah të firmës së prokurores Sevdari dhe pas kësaj në bashkëpunim me qeverinë nxituan që të sekuestrojnë televizonin që linte pa gjumë Edi Ramën, bllokuan dhe anuluan koncesionin e HEC-it në Kalivaç të cilin sot ja ka dhënë një prej klientëve të tij, etj. Paralelisht me të gjitha këto me shpejtësi u njoftua INTERPOL, duke e shpallur Beketin në kërkim ndërkombëtarë.

Sot pas rreth 4 vitesh, Beketi jo vetëm që nuk është në burgun që i bëri gati Antoneta Sevdari dhe Edi Rama, por kushedi në cilin plazh ekzotik i bëjnë fresk me degë palmash. Pas vendimit të gjykatës së Strasburgut Beketi po pret lëvrimin e plot 110 milion eurove, që duhet të paguajnë shqiptarët nëpërmjet taksave të tyre, për hir të kapriçove dhe hakmarrjes së Ramës. Të gjitha të “ligjëruara”: nga një “hetim” dhe me firmën e prokurores Antoneta Sevdari.