“Festa e Fërgesës” bën bashkë Tiranën dhe Elbasanin, Kryebashkiakët Veliaj dhe Llatja: Të promovojmë turizmin

0
110
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

“Festa e Fërgesës” çeli edicionin e saj të pestë duke bërë bashkë artizanë dhe restorante tradicionale. E kthyer në një traditë të përvitshme për kryeqytetasit, por jo vetëm, ajo erdhi këtë vit si një sfidë shijesh mes Tiranës dhe Elbasanit, duke tërhequr një numër të madh turistësh dhe vizitorësh. Për të përshëndetur këtë festë, i pranishëm ishte dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja, ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi etj.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se gjithnjë e më shumë turizmi po kthehet në motor të zhvillimit të ekonomisë lokale dhe burim të ardhurash. “ Është një kënaqësi e jashtëzakonshme në një Tiranë që është mbushur me turistë, në një Tiranë që s’ka dhomë hoteli të lirë, në një Tiranë ku çdo restorant është rezervuar, çdo lokal, çdo klub. Kultura, kulinaria, arti, muzika, teatri, baleti të gjitha prodhojnë ekonomi. Ne patjetër dimë të bëjmë dhe pica, patjetër dimë të gatuajmë dhe ushqime ndërkombëtare, por njerëzit nuk vijnë në Shqipëri për diçka që është e huazuar nga diku tjetër. Njerëzit vijnë në Shqipëri, shpenzojnë para në Shqipëri, kalojnë net në Shqipëri, bëjnë pushime në Shqipëri për diçka që është autentike Shqiptare”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se festa të tilla i shërbejnë dhe ruajtjes e promovimit të identitetit të kryeqytetit dhe njohjes së tij nga vizitorët e huaj. “Kjo është një mënyrë për të kujtuar që ne kemi një traditë të jashtëzakonshme, qoftë edhe në veshjet që keni sot, qoftë edhe në muzikën që luajtëm sot, qoftë edhe në kostumet fantastike që kemi për vogëlushët, qoftë edhe për ushqimin. Është autentike dhe është diçka që na bashkon, jo vetëm Tiranën me Elbasanin, po diçka për të cilën të gjithë duhet të jemi krenarë. Dhe unë besoj fort që në Shqipëri sot mund të kalosh një kohë të jashtëzakonshme. Patjetër në plazh, po edhe në Tiranë e Elbasan ku nuk ke plazh, mund të hash mirë, mund të kesh shoqëri të reja, mund të shohësh art dhe kulturë, mund të shohësh Kalanë e Elbasanit, Kalanë në Tiranë”, nënvizoi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja vlerësoi traditat dhe bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës. “Tirana është shtëpia e të gjithë Shqipërisë. Normalisht fërgesa është një nga gatimet që na ka bashkuar gjithmonë si Shqipëri e Mesme. Faleminderit për këtë aktivitet që na dhatë dhe ne mundësinë që bashkë me artistët e Elbasanit të jemi sot prezentë këtu”, u shpreh kryebashkiaku Llatja.

Krahas panairit të kulinarisë së zonës, të pranishmit patën mundësi të ndjekin performancën e Ansamblit Tirana me valle të Shqipërisë së Mesme, Ansamblit “Isuf Myzyri” dhe Ansamblit të Fëmijëve Elbasan.

Zjarr Tv Ad