Fidel Ylli kërkon hapjen e basteve: Miliona euro i marrin rrugaçët, pse të mos i ketë shteti?! Gaz Demi ka lënë leshtë

0
476
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kreu i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli ka folur përsëri për bastet sportive, të mbyllura me ligj prej disa vitesh nga Qeveria shqiptare. Ylli është koshient se ato vijojnë të luhen në të zezë me anë të digjitalizimit, duke kërkuar nga qeveria hapjen e kontrolluar për të sjellë të ardhura.

Kreu i KOKSH-it tha se ishte i bindur se edhe vetë kryeministri Rama e di që bastet vazhdojnë “në të zezë”. Ndaj Fidel Ylli kërkon që të hapen bastet dhe fitimet që sipas tij sot i marrin disa anonimë, më mirë t’i marrë shteti.

“Unë jam i bindur që edhe kryeministri e di që ka baste në të zezë, e dinë deputetët, e dinë edhe shumë mirë kush i ka dhe kush luajnë. Mund të kenë edhe llogari që luajnë vetë. Të gjithë e dimë që ka baste sportive në të zezë. Kur të gjitha paratë e zeza, i marrin njerëz anonimë, pse të mos i marri shteti?! Bënë mirë që u mbyllën, por të rindërtohen.

Njerëzit mund të luajnë me pak lek, por sistemi nuk do e lejojë 10 mijë euro. Është më mirë që të menaxhohet nga shteti.

Kaq vend i pasur jemi ne, që lëmë të na ikin miliona euro dhe t’i marrin rrugaçët. Ne duam të jemi partnerë me qeverinë, jo të mos na dëgjojnë. Kemi 3 muaj që kemi bërë takimin, kemi dërguar peticionin dhe ende nuk kemi marrë një përgjigje.

Si shpjegohet kjo?! Sportin nuk ka qeveri që e ndalon. Sporti është industri e madhe. E pamë çfarë bëri futbolli me Conference League në Tiranë. Çfarë ka tjetër ky vend? Në çfarë fushe mund të krenohemi ne në Shqipëri?! Me atë politikë bajate?! Ne krenohemi vetëm me sportin, me këta kampionë që kemi. Sportistët janë ambasadorët më të mirët për Shqipërinë. Më erdhi mirë që futbolli u ul me ministren. Ministrja na ka ftuar edhe ne për këtë çështje”, tha Ylli.

Kreu i KOKSH u ndal edhe te pronësia e klubeve, duke cekur se nuk mund të mbahet një skuadër me paratë e një familje, duke marrë shembull Gazment Demin, presidentin e Partizanit. Sipas tij, është e vështirë që një njeri i vetëm të investojë me paratë e familjes te futbolli.

“Unë kam qenë në krahun e futbollit, Ligji i Sponsorizimit është i domosdoshëm. Nuk dua t’ia di as për qeveri as për Edi Ramën, kur bëhet fjalë për sportin. Megjithatë duhet të jemi me këmbë në tokë. Nuk është futboll ky që bëhet këtu. Më vjen keq mua për këta. Nuk shkon dot më lart. Kemi vajtur në Europian, me asnjë lojtar nga Shqipëria, por me ata që luajnë në Europë. Futbolli duhet këtu në bazë. Sporti do mend dhe vizion.

Duhet të thithësh sponsorë dhe të rritesh. Më vjen keq për Gaz Demin, se ka lënë leshtë te Partizani, që po bën një gjë të madhe. Është në vështirësi që një njeri i vetëm, të investojë me paratë e familjes te futbolli. Prandaj them që duhen bashkuar fuqitë dhe të bëhen 4 veta për një klub, siç ka qenë Tirana dikur, që mori 4-5 biznesmenë dhe e ngjitën lart.

Qeveria jep 10 milionë bashkive për sportin dhe të gjitha hidhen të futbolli. Si e blejnë një lojtar në Kategorinë e Dytë, ku i gjejnë lekët?! Ne themi të fillojë një reformë. Futbolli mund të mbahet me biznese. Këta duan akoma lëmoshë nga bashkia. Të investohet më pas në terrene sportive, se të gjithë terrenet janë bërë pallate, nuk ka fushë ku të luajnë fëmijët”, u shpreh Fidel Ylli në emisionin “Skaner”.

Zjarr Tv Ad