Ish-deputetja e PD-së, Albana Vokshi ka reaguar në lidhje me vendimin e marrë nga qeveria për të rihapur shkollat në shtator.
Sipas Vokshit ky është një vendin i nxituar dhe pa asnjë plan nga qeveria.
Ajo shkruan në Facebook, se deklarata e qeverisë erdhi pas presioneve të vazhdueshme nga PD-ja dhe opozita.
Reagimi i plotë i Albana Vokshit:
Dalja e dy ministreve krijoi më shumë paqartësi sesa dha sqarime, sepse qeveria nuk ka asnjë plan.
Një qeveri me plan, e cila nuk vepron në panik dhe nuk improvizon, do të kishte publikuar sot udhëzuesin e detajuar për rihapjen e shkollave në kushtet e pandemisë.
• Sa të gjata do të jenë orët e mësimit?
• Me sa turne do të jetë mësimi në Tiranë, ku shumica e shkollave janë me dy turne?
• Me sa nxënës do të jetë një klasë?
• Ku do të mësojnë nxënësit e shkollave të shkatërruara pas tërmetit?
• Me rritjen e numrit të klasave me turne, sa është numri i mësuesve dhe ndihmës mësuesve që do të punësohen?
• Cili është protokolli i sigurisë që do ndiqet në cdo shkollë dhe masat mbrojtëse që do sigurohen nga qeveria?
• Mbi të gjitha, sa është buxheti shtesë për të përballuar pandeminë në shkolla?
Nxënësit, studentët dhe prindërit e tyre nuk kanë nevojë për daljet me skype e deklaratat boshe, që nuk sqarojnë asgjë.
Strategjia për rihapjen e shkollave duhet të jetë publike.