Fillon periudha intensive e negociatave me BE, çfarë është screening që hap kapitujt e anëtarësimit

0
42
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Në 15 shtator, delegacione zyrtare të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut fillojnë në Bruksel procesin teknik të ekzaminimit të legjislacionit të dy vendeve krahasuar me atë të Bashkimit Europian. Ky ekzaminim, i ashtuquajtur “screening” ka për qëllim përafrimin e dy vendeve me legjiclacionin e deritanishëm të BE-së.

Në përfundim të këtij procesi, Komisioni Europian harton raporte të ekzaminimit, për të rekomanduar hapjen e kapitujve të parë të negociatave të anëtarësimit. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të mund të mbyllin negociatat e anëtarësimit vetëm kur të mund të përafrojnë dhe zbatojnë krejtësisht grupkapitullin mbi legjislacionin për sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe demokracinë.

Javën e ardhshme, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut fillojnë procesin teknik që do t’i çojë drejt hapjes së kapitujve të parë të negociatave të anëtarësimit.

Gazetarja e ABC, Erisa Zykaj ka intervistuar Ana Pisonero-Hernandez, zëdhënësen e komisionierit për politikën e fqinjësisë dhe zgjerimit, Oliver Varhelyi, e cila shpjegon se çfarë është konkretisht procesi i “screening”, si zhvillohet dhe ç’impakt ka metodologjia e rishikuar e zgjerimit mbi këtë proces.

INTERVISTA:

Ana, faleminderit që je me ne. Pyetja e parë është çfarë është procesi i “screening”?

Ana Pisonero Hernandez, zëdhënëse e KE-së: “ Ky është hapi i parë dhe shumë domethënës në procesin e negociatave të anëtarësimit. Procesi i screening është një ekzaminim i legjiclasionit që do t’u mundësojë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të familjarizohen me arritjen legjislative të deritanishme të BE-së dhe të mundësojë identifikimin e çështjeve dhe fushave ku kërkohet më shumë përgatitje nga ana e vendeve kandidate. Kjo do të bëjë të mundur përafrimin e legjislacionit të këtyre vendeve me atë të BE-së (acquis communautaire) dhe përgatitjen për zbatimin e tij deri në kohën e anëtarësimit.

Si zhvillohet ky proces?

Ana Pisonero Hernandez, zëdhënëse e KE-së: “Procesi i ekzaminimit përbëhet nga dy faza dhe zhvillohet midis Komisionit Europian dhe vendeve kandidate. Pjesa e parë ka të bëjë me ekzaminimin shpjegues, që do t’i mundësojë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të familjarizohen me të drejtat dhe detyrimet e Bashkimit Evropian. Në këtë fazë, është Komisioni Europian që shpjegon në detaje legjislacionin dhe politikat e BE-së. Ndërkohë, që faza e dytë e ekzaminimit ka të bëjë me ekzaminimin bilateral, ku shtetet kandidate tregojnë nivelin e tyre të përafrimit me legjislacionin e BE-së dhe të përvijojnë planet për harmonizim të mëtejshëm.

Kjo pastaj mundëson identifikimin e fushave apo çështjeve që mund të kërkojnë më shumë punë gjatë negociatave në grupkapituj të ndryshëm. I gjithë procesi mbaron me raportet e ekzaminimit, ku Komisioni Europian i bën një rekomandim Këshillit të Bashkimit Europian nëse duhet të fillojnë praktikisht negociatat dhe me kë grupkapituj. Në këto raporte identifikohen gjithashtu nëse ka ende kushte që nevojiten të përmbushen, që njihen ndryshe si standartet e hapjes “opening benchmarks”.

Sa zgjat ky proces i ekzaminimit dhe në çfarë niveli përfaqësohen palët ?

Ana Pisonero Hernandez, zëdhënëse e KE-së: “Në vijim të konferencës së parë ndërqeveritare në 19 korrik me të dyja vendet që u mbajt një ditë pasi Këshilli i BE-së aprovoi kuadret negociuese me të dyja vendet, Komisioni Europian filloi menjëherë punën përgatitore. Siç u shpjegua nga komisioneri Várhelyi gjatë takimit më 19 korrik, gjatë muajve të ardhshëm, do të kemi një program pune shumë të ngjeshur, shumë intensiv. Do ketë shumë kontakte midis Komisionit Europian nga njëra anë dhe Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nga ana tjetër.

Ne parashikojmë që ky proces i ekzaminimit mund të zgjasë deri një vit. Në përfundim të këtij procesi, grupkapitulli për fushat themelore do të hapet i pari dhe do të mbyllet i fundit, siç parashikohet në metodologjinë e rishikuar të zgjerimit. Kjo metodologji vendos një fokus edhe më të fortë në fushat themelore, duke filluar nga sundimi i ligjit, funksionimi i institucioneve demokratike, reforma e administratës publike, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe reformat ekonomike dhe qeverisja ekonomike”.

Zjarr Tv Ad