Filluan aplikimet për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit/ Ja kur do të jenë datat…

0
26
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Në kuadër të procesit të nisur gjatë viteve të fundit, për të bërë pjesë të Policisë vajza dhe djem, Policia e Shtetit, në datën 10 korrik, hapi aplikimet për 350 vende për Patrullë të Përgjithshme, fazë e cila u përmbyll më datë 10 gusht, me aplikimin e mbi 2100 vajzave dhe djemve nga të 12 qarqet e vendit.

Pas përfundimit të afatit të aplikimit, u bë verifikimi i dokumentacionit, u shpallën listat dhe u njoftuan të gjithë aplikantët për datën dhe vendin e zhvillimit të fazës së parë të konkurrimit, asaj të testimit me shkrim.

Nga data 16 deri në datën 18 shtator, në Pallatin e Kongreseve, do të zhvillohet faza e parë e konkurrimit, testimi me shkrim për “Patrullë të Përgjithshme, me dy faza, paradite dhe pasdite, duke respektuar masat anticovid.

Paraditen e datës 16 shtator do të marrin pjesë në testim apikantët e Tiranës, duke filluar nga numri kodik 0001 deri në 0350, ndërsa pasdite pjesa tjetër e aplikantëve të qarkut Tiranë duke filluar nga numri kodik 0351 deri në 0458 dhe të gjithë aplikantët e qarkut Korçë.

Më datë 17 shtator paradite do marrin pjesë të gjithë aplikantët e qarqeve Berat, Gjirokastër dhe Shkodër, ndërsa pasdite të gjithë aplikantët e qarqeve Fier, Lezhë e Kukës.

Më datë 18 shtator paradite do të marrin pjesë të gjithë aplikantët e qarqeve Vlorë dhe Elbasan, ndërsa pasdite do të marrin pjesë të gjithë aplikantët e qarqeve Durrës e Dibër.

Aplikantët që do t’i nënshtrohen testimit me shkrim, paraditen e çdo dite konkurrimi duhet të paraqiten sipas grafikut të konkurrimit, në orën 07:30 në Pallatin e Kongreseve, ndërsa ata të pasdites duhet të paraqiten në orën 14:00 në Pallatin e Kongreseve.

Aplikantët duhet të kenë me vete fletën e regjistrimit të lëshuar nga DVP-ja ku ka aplikuar, kartën e identitetit, si dhe maskën mbrojtëse, pa të cilën nuk do të lejohen të hyjnë në testim.

Aplikantët, në momentin që futen në sallën e konkurrimit, nuk duhet të kenë me vete celular dhe u ndalohet komunikimi me njëri-tjetrin gjatë zhvillimit të testimit.

Të dyja fazat e testimit gjatë tre ditëve do monitorohen me kamera nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme.

Pyetjet e testimit me shkrim do të prodhohen nga Qendra e Shërbimeve Arsimore në Ministrinë e Arsimit dhe do të tërhiqen nga komisioni në orën 07:00 të mëngjesit dhe do jenë pyetje me karakter të formimit të përgjithshëm.

Testet janë në kuti të mbyllura e me vulë dhe hapen në prezencë të aplikantëve. Çelësi i përgjigjeve të testimit tërhiqet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore, në momentin kur përfundon testimi dhe mblidhen testet e pjesëmarrësve.

Në prezencë të një grupi me rreth 30 aplikantë të zgjedhur si përfaqësi nga vetë aplikantët, bëhet korrigjimi me skandron dhe përgjigjet afishohen menjëherë në Pallatin e Kongreseve.

Renditja e pikëve do bëhet në bazë të qarqeve dhe të kuotave që kanë DVP-të.

Çdo konkurrent, në fund të çdo faze konkurrimi, në rast se nuk është dakord me rezultatin, ka të drejtën e ankimimit brenda dy ditëve. Ankesa bëhet me shkrim dhe dorëzohet në Akademinë e Sigurisë, në zyrën e Burimeve Njerëzore dhe më pas kjo ankesë i përcillet Komisionit të Apelimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Policia e Shtetit, këtë interesim të lartë të të rinjve dhe të rejave për t’u bërë pjesë e Policisë e shikon si inkurajim të madh për organizatën e Policisë, e cila vitet e fundit ka hapur dyert për ta dhe në këtë kuadër iu uron aplikantëve suksese në fazat e konkurrimit.

Zjarr Tv Ad