Firmos Trump, SHBA nisin sulmet ajrore ndaj Sirise

0
611
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Zyrtarët amerikanë thanë se SHBA goditën me 50 raketa tomahok objekte të qeverisë siriane si kundërpërgjigje ndaj sulmit me armë kimike në Siri që la dhjetra të vrarë dhe qindra të plagosur.

Presidenti amerikan Donald Trump mbajti mbrëmë një fjalim të shkurtër përpara mediave në Florida, ku njoftoi se kishte dhënë urdhër për goditje ushtarake kundër një baze ajrore në Siri, nga e cila ishin ndërmarrë sulme me armë kimike. Ai tha se nuk ka diskutim që Siria përdori armë kimike, duke shkelur marrëveshjet ndërkombëtare.

Presidenti tha se “është në interesin jetik kombëtar të SHBA të parandalojnë dhe të frenojnë përhapjen dhe përdorimin e armëve kimike vdekjeprurëse.”

Bashar al-Assadi, tha zoti Trump, u mori jetën njerëzve të pashpresë.

Presidenti Trump tha se u bënte thirrje vendeve të qytetëruara të bashkoheshin në përpjekjet për të ndalur gjakderdhjen në Siri dhe për t’i dhënë fund grupit Shteti Islamik.

Sulmet amerikane u ndërmorën nga dy destrojerë të Marinës amerikane në Mesdheun lindor.

Kjo është goditja e parë e drejtpërdrejtë që SHBA ndërmarrin kundër qeverisë së Assadit që nga fillimi i luftës civile në Siri gjashtë vjet më parë.

Raketat goditën bazën ajore Shayrat dhe kishin si objektiv avionët luftarakë sirianë dhe objekte të infrastrukturës në këtë bazë. Sulmet u ndërmorën rreth orës 8:45 sipas kohës së Uashingtonit.

Sipas mediave që citonin një zyrtar të lartë ushtarak amerikan, përpara lëshimit të raketave tomahok Pentagoni kishte njoftuar zyrtarët ushtarakë rusë përmes kanaleve ekzistuese të çtensionimit.

Është e paqartë nëse sulmet kundër objektivave të Assadit do të vazhdojnë.

Përgatitjet në Pentagon

Një zyrtar i lartë ushtarak i SHBA tha të enjten se Pentagoni kishte paraqitur alternativa për një goditje në Siri, pas sulmit me armë kimike ku u vranë rreth 100 civilë dhe për të cilin është fajësuar presidenti Bashar al-Asad.

Zyrtari i tha Zërit të Amerikës se në Pentagon ishin zhvilluar takime me shefat e shtatmadhorisë lidhur me atë që ai e quajti synim verbal të Presidentit Donald Trump për të ndërmarrë veprime në Siri.

Gjatë rrugës në avion për në Florida për takimin me presidentin kinez Xi Jinping, Presidenti Trump u tha gazetarëve se ajo që ndodhi në Siri ishte “një turp për njerëzimin,” dhe se me Asadin në komandë … diçka duhet të ndodhë.”

“Ajo që bëri Assadi është e tmerrshme. Unë mendoj se ajo që ndodhi në Siri është një nga krimet me të vërtetë skandaloze; kjo nuk duhet të kishte ndodhur dhe nuk duhet të lejohet të ndodhë,” tha ai.

Zoti Trump shtoi se “në një moment të caktuar” ai mund të flasë për Sirinë me aleatin e saj më të madh ushtarak, presidentin rus Vladimir Putin.

Zjarr Tv Ad