Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, thotë se votat për Giorgia Melonin treguan se Italia është gati të ketë një kryeministre grua.
Në emisionin “Good Morning Albanians” në “Euronews Albania”, Shehu u shpreh se nuk sheh diferencë mes gruas dhe burrit në politikë.
“Meloni ka qëndrime shumë të qarta për vlerën e familjes dhe atdheut – kjo është thelbësore. Përderisa i dhanë kaq shumë vota, do të thotë që Italia ishte gati për një kryeministre grua.
Personalisht, unë nuk shoh dallime midis gruas dhe burrit, rëndësi ka të jenë aftësitë e njeriut. Nuk bazohesh te kuotat, por tek aftësitë. Ajo ishte kundër skemave artificiale. Nuk fiton njeriu se është grua apo burrë, njeriu fiton për vlerat që ka”, theksoi ai.
Udhëheqësja e ekstremit të djathtë, Giorgia Meloni, ka shpallur fitoren në zgjedhjet parlamentare në Itali dhe është në rrugën e duhur për t’u bërë kryeministrja e parë femër në vend.
Meloni është shprehur se me këtë fitore të së djathtës, në Itali është shkruar historia.