Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas fitores së një nga gjashtë bashkive, asaj të Shkodrës në zgjedhjet e pjesshme vendore, duke falenderuar aleatët e LSI, ndërkombëtarët, qytetarët dhe numëruesit.
Berisha tha në një prononcim për media se fitorja në Shkodër tregoi që “populli opozitar është me opozitën e vërtetë”. Ai tha se këto zgjedhje ishin të jashtëzakonshme pasi “Shtëpia e Lirisë” u përball me maxhorancën dhe Partinë Demokratike të Lulzim Bashës.
“Shkodra mbetet e pamposhtur në vizioni e saj perëndimor dhe kombëtar, kam një falenderim shumë të veçantë për ata kombëtarë dhe ndërkombëtarë, si dhe aleatët e LSI që u angazhuan në këtë fushatë, për kandidatët tanë si dhe të gjithë qytetarët. Mirënjohje edhe për atë që numëruan mbrëmë. Rezultati u arrit në kushtet më të vështira më të jashtëzakonshme, pasi PD u përball në këto zgjedhje, në Shkodër dhe kudo, jo vetëm me kreun e Meduzës, por edhe me patericën e tij, Lulzim Bravën i cili sot është demokrati i vetëm në Shqipëri që ndjehet se nuk humbet dhe nuk ka humbje. Pra i ka dhënë një zgjidhje përfundimtare problemit, duke shpallur çdo humbje, në mos fitore, jo-humbje. Demokrate dhe demokratë në Shqipëri, të bashkohen, populli opozitar votoi masivisht opozitën e vërtetë”, deklaroi Berisha.