Djali i të ndjerit Sokol Olldashi, Glauk Olldashi, në një intervistë për “Euronews Albania”, ka folur për angazhimin e tij në Partinë Demokratike, si dhe forcat e rejat politike që janë krijuar në Shqipëri.
Glauk Olldashi, ka komentuar edhe partitë e Jozefina Topallit dhe Astrit Patozit, një nga miqtë më të afërt të babait të tij, duke i quajtur ato si; “parti mllefi dhe inati”, të cilat nuk do të kenë asnjë impakt, nëse PD do të ketë kandidatë të mirë.
“Ata kanë bërë zgjedhjet e veta, nuk mund të gjykoj sepse unë jam djali i tyre në moshë. Ata të gjithë kanë bërë gjykimin e vet. Sa i përket ndikimit në zgjedhje, varet nga kandidaturat e PD. Nëse PD do ketë kandidatura shumë të mira, ndikimi i tyre do jetë zero. Janë parti inati, mllefi. Pra, votuesit e Jozefinës, Astritit, Murrizit, janë votues që votojnë me mllef dhe nuk do të votonin PD nëse nuk do të ishin këto parti”, është shprehur Glauk Olldashi.
Ndër të tjera, Olldashi foli edhe për protestat e fundit, ku ka deklaruar se i ka mbështetur ato.
“Unë i kam mbështetur me gjithë shpirt protestuesit dhe kam qenë plotësisht dakord me protestën. Mund të thotë dikush që kishte akte dhune, djegie koshash. Natyrisht që nuk është e hijshme, por edhe të arrestosh 400 fëmijë, të tërheqësh zvarrë 13-vjeçarë se thyen një xham, t’i gjuash me gaz. Protesta nuk ka qenë, politike ka qenë duf”, kështu është shprehur ai për Euronews.
Glauk Olldashi, është angazhuar në PD në forumin rinor dhe ka qenë aktiv, në protestat dhe manifestimet që ka zhvilluar kjo parti.