Më 2 tetor të vitit 2018, gazetari saudit, Jamal Khashoggi u pyet në konsullatën saudite në Stamboll. Më pas u torturua dhe më fund u vra. Një gjykatë në Arabinë Saudite ka dënuar pesë burra për vdekjen e gazetarit kritik ndaj qeverisë. Të dënuarit i përlkasin një komandoje speciale saudite. Tre persona u dënuan me 24 vite burg për fshehjen e krimit. Procesi ishte i mbyllur për publikun. Princi i Kurorës, Mohammed bin Salman mori përgjegjësi për krimin, por mohoi që të ketë urdhëruar vrasjen. Megjithatë, një hetuese speciale e OKB për rastin në fjalë, Agnes Callamard, arriti në përfundimin se ka prova të besueshme se kjo vrasje është përgjegjësi personale e Princit të Kurorës. Ndërkohë, e fejuara e gazetarit saudit, Hatice Cengiz ka dhënë një intervistë për gazetën BILD.
Më 2 tetor të viitt 2018, ju prisnit të fejuarin përpara konsullatës saudite. Ai nuk doli kurrë.
Po prisja që të dilte me dokumentin jashtë dhe më në fund të nisnim një jetë të re. Unë pres akoma, por për fat të keq jo për të, por për drejtësi për vrasjen e tij.
Kur u bë e qartë se ai nuk do dilte kurrë?
Deri më 19 tetor, nuk e kam besuar kurrë se ai nuk do dilte prej andej. Nuk doja të flisja me mediat, për shkak se isha e sigurt se ai jetonte. Do ishte e pakëndshme për të, nëse ai do shihte se kam folur në media.
Si u njohët me të?
Jemi njohur në një konferencë në Stamboll. Gjatë takimit të dytë vumë re se kishim një lidhje speciale. Në takimin e tretë e vendosëm që të martoheshim.
Çfarë ju mungon më shumë?
Koha me Jamal-in ishte koha më e mirë e jetës sime. Kishte një zemër të butë, ishte i zgjuar dhe kishte mendim racional. Mahnitesha kur shihja se si fliste për idetë e tij. Më mungon zëri i tij, më mungon gjithçka nga ai.
A e keni menduar se ishte në rrezik?
Nuk e imagjinoja kurrë se do i ndodhte diçka. Mendoja se ishte në burg dhe po e pyesnin.
A e mbani mend bisedën e fundit me të?
Biseda e fundit ishte për mobiljet e banesës sonë të re. Donim të ndërronim ngjyrën e frigoriferit. Jamal ishte shumë i emocionuar sepse i pëlqente të punonte për banesën tonë. Ai donte të shkonte në një dyqan mobiljesh pasi të dilte nga konsullata. Gjithçka ishte gati për të ardhmen tonë së bashku. Mungonte vetëm një dokument. Por ai nuk u kthye kurrë.
Për çfarë shpresoni?
Jamal ishte optimist. Ai e donte vendin e tij të lindjes, kishte shumë plane për të përmirësuar situatën në Arabinë Saudite. Ai pagoi me jetën e tij, por tani e gjithë bota e di për ëndrrat e tij. Ne duhet të përmbushim ëndrrat e tij për liri.