Biznesmeni Rezart Taçi, i shpallur në kërkim nga gjykata që e akuzon për pastrim parash, mohon akuzat dhe thotë se ka disa persona që duan ta njollosin dhe ta akuzojn sistematikisht.
Megjithatë Taçi tha se do të dorëzohet shumë shpejt te autoritetet shqiptare pasi beson te drejtësia dhe pafajësia e tij. Duke folur për “Ora News”, Taçi tha se ndjehet i akuzuar nga një ministër i financave në Shqipëri prej gati 15 vitesh.
Edhe lidhur me arrest*imin dy personave, përfshi kunatin e tij, Bledar Lilo dhe Artur Balla, Taçi tha se nuk kanë kryer asnjë vepër penale, pasi vetëm kanë shoqëruar një person për të hapur llogari bankare.
Pjesë nga deklarata e Taçit:
Është një dorë, nuk e di. Zoti e faltë, se nuk ka rregull burrëror, zakonor që unë ta fal. Që të njollosë dhe të persekutojë në mënyrë të vazhdueshme familjen time. Unë jam besimtar dhe do të vazhdoj i qetë jetën dedikuar familjes time dhe duke kontribuuar për vendin tim. Mund të kem perceptime, por s’kam fakte se kush janë këta. Më ka kontaktuar një italian që më ka kërkuar ta ndihmoj të hapë një llogari në Shqipëri. S’më takon mua të gjej çfarë parash ka ai. Unë në vitet e fundit jam duke qëndruar në shtetin italian.
Nuk kam nga shteti italian, shteti italian është i informuar nga prokuroria shqiptare për këtë transfertë, dhe s’kam në shtetin italian asnjë lloj procedimi. I vetmi vend ku kam procedim është Shqipëria dhe ndoshta do të vij të përballem shumë shpejt. Cfarë kanë bërë zoti Bledar Lilo dhe Artur Balla? Është krim që të shoqërosh një person? Nuk kam përfituar asnjë shumë dhe nuk do të përfitoj asnjë shumë. A do të dorëzohem te autoritetet e drejtësisë shqiptare? Absolutisht po. Do të dorëzohem shumë shpejt se kam besim te drejtësia. Edhe te autoritetet italiane po të jetë nevoja.
Për sa i përket persekutimit, kanë 15 vite që më lutet familja të denoncoj shtetin tim për persekutim. Kanë 15 vite që më kërkojnë të marr azil politik. Sepse është një skenar që vazhdon prej 15 vjetësh. E nisur kjo nga ministri i financave që i përket një lobi të caktuar.