Flet Paskal Milo: Shqipëria ka nevojë për një të majtë të re/ Rilindja nuk është më e majtë, por pjesë e oligarkëve dhe e…

0
61
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Koncepti klasik i luftës politike për pushtet, në të gjitha vendet e botës perëndimore me demokraci liberale, ka pasur në themel të tij, konkurrencën e alternativave dhe programeve të grupimeve të larmishme politike, të quajtura të djathta, të qendrës e të majta. Ndër vite e në përshtatje me zhvillimet dhe nevojat, platformat tradicionale politike dhe elektorale, kanë ndryshuar e janë modernizuar, por pa e kaluar ylberin ideologjik, të ndarjes së madhe bllokiste.

Në Shqipërinë e saposhpallur pluraliste, të fillimit të viteve 90-të të shekullit të kaluar, kishte një injorancë të plotë të kulturës politike perëndimore. Partitë e reja politike që u krijuan, kopjuan ose përshtatën përciptazi, programe të partive europiane të djathta e të majta.

Më tepër, u bë kujdes për emrat e partive, sesa për thelbin e programeve të tyre, në kushtet e Shqipërisë të sapodalë, nga sundimi i gjatë i një regjimi njëpartiak komunist. Kështu, u themelua në mars 1991 Partia Social Demokrate, ku në qershor të atij viti, Partia e Punës e Shqipërisë, ndërroi emrin në Parti Socialiste.

Ky ishte veç fillimi i krijimit të së majtës shqiptare, në traditën dhe modelin social-demokrat europian, por që vite më vonë, u fragmentarizua me themelimin e dy–tri partive të tjera si; Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Demokracia Sociale etj. Pa u zgjatur në histori, aktualisht e majta shqiptare, e themeluar në vitet e tranzicionit shqiptar, thuajse nuk ekziston.

Procesi i shthurjes së saj, nisi në fillim të viteve 2000, kur ajo e ndodhur në pushtet, u miklua nga favoret e tij, u infektua nga k*orrupsioni dhe humbi frymën demokratike, të përfaqësimit të shtresave sociale, që duhej të përfaqësonte.

Procesi i transformimit të së majtës shqiptare, veçanërisht i partisë më të madhe të saj, asaj Socialiste, në një organizatë politike pragmatiste dhe eklektike, filloi pas vitit 2005-së, kur ndodhi edhe ndryshimi në udhëheqjen e saj, largimi i Fatos Nanos dhe ardhja e Edi Ramës, në postin e kryetarit të saj. Vitet 2005-2013-të, që janë vitet e opozitës për Partinë Socialiste, ndonëse u ruajtën formalisht kolonat programore të një partie të majtë, shënuan fillimin e desocializimit të saj programor, si dhe të “çlirimit” të saj nga vlerat dhe traditat pozitive të trashëguara, që për fat të mirë të saj, identifikoheshin me emrin e partisë.

Jo vetëm rikompozimi i simboleve partiake, apo ndryshimi i ngjyrave të flamurit të partisë, por edhe deklaratat e metodat thellësisht personale dhe autoritare të kryetarit të PS-së, paralajmëruan “v*arrosjen” politike të k*ufomës së vjetër, që kundërmonte komunizëm dhe ngritjen graduale brenda saj, të një krijese të re që do të kishte në themel të saj, vulën dhe botëkuptimin personal të Edi Ramës, që nuk kishte asnjë lidhje me konceptet e së majtës moderne europiane.

Pikërisht e jo pa qëllim në këtë kohë, në përgatitje të këtij ndryshimi cilësor, kryetari i partisë më të madhe opozitare deklaronte se; ajo nuk ishte as e majtë dhe as e djathtë, se ai personalisht nuk ishte politikan!

Periudha 2005-2013-të, ka qenë koha e anarkisë politike në koncepte e në veprime, e Partisë Socialiste që mbuloheshin nga nevoja e një opozitarizmi të fortë, e të domosdoshëm ndaj qeverisjes autoritariste e subjektiviste, të Sali Berishës dhe të Partisë Demokratike.

Për herë të fundit Edi Rama, u shfaq formalisht si socialist dhe për herë të fundit para se t’i jepte lamtumirën “gërmadhës” komuniste, alias Partisë Socialiste, ai paraqiti programin elektoral, për zgjedhjet e vitit 2013-të, që ishte edhe ceremonia mortore e saj. “Rilindja”, jo pa qëllim ishte zgjedhur ky emër, ishte gati si strukturë për të zëvendësuar de facto të vjetrën, që po v*arrosej e për të qeverisur vendin.

Socialistët, nuk e kuptuan që me votat dhe me duart e tyre, v*arrosën historinë dhe vlerat më të mira të tyre. Largimi i Sali Berishës, ishte alfa dhe omega e tyre. Kjo iu dha, dhe jo pa të drejtë, një kënaqësi të madhe të momentit, por nuk menduan se dasma e tyre e fitores elektorale, do të ishte njëkohësisht edhe shkurorëzimi përfundimtar, i Partisë Socialiste nga legjitimiteti historik, si parti e majtë. Rilindja kishte shënuar ditëlindjen e saj. Lindi për të hedhur poshtë trupin dhe frymën, ku u mbars dhe doli në jetë. Kishte filluar epoka e saj. Nuk do shumë vëmendje, për të kuptuar se cilësia e qeverisjes, në raport me premtimet, pritshmërinë dhe ardhmërinë europiane të vendit, në këto shtatë vite ka ardhur në rënie.

Bilancet zyrtare të “arritjeve”, të qepura në zyrat e administratës publike, nuk entuziazmojnë asnjë njeri, madje as edhe ata që i hartojnë. Atmosfera është e mbarsur me shumë pesimizëm dhe pakënaqësi, që ndihet e preket kudo. Veç “mbreti” dhe oborrtarët e tij, nuk e shohin, ose bëjnë sikur nuk shohin. Përpara janë zgjedhjet e reja parlamentare.

Sido që të shtyhen këto muaj, me ose pa Corona*virus, me premtime të reja, me inaugurime veprash imagjinare, me rritje simbolike pagash e pensionesh, me punësime të përzgjedhura e të përkohshme, në mendjet e shqiptarëve, ka filluar të vërtitet pyetja: Për cilin do të votojmë? Ushtria e militantëve të strukturave partiake, ka kohë që ka bërë radiografinë e re të elektoratit, ku sondazhet e përdyjavshme që matin humorin e tij zgjedhor, kanë kohë që kanë filluar.

Retorika dhe sulmet verbale ndaj kundërshtarëve, është shumëfishuar. Rrjetet sociale, gëlojnë pa fund e në mënyrë të organizuar, nga propaganda elektorale. Në thelb nuk ka asgjë të re. Të gjithë, përveç të përkëdhelurve të pushtetit dhe oligarkëve, ankohen e nuk kanë besim. Shqipërisë i duhet një e majtë e re në ide, si dhe në organizim. Rilindja nuk është e majtë, ajo është pjellë dhe përfaqësuese e oligarkëve, e PPP-ve dhe jo e masës së gjerë, që aq shumë shpresoi në 2013-ën dhe që aq shumë u zhgënjye ndër vite. Koha është tani. Çdo vonesë është humbje. Organizim për t’i rikthyer Shqipërisë një të majtë moderne, europiane, humane dhe të përgjegjshme për fatet dhe sfidat, që ajo ka tani e në të ardhmen.

Zjarr Tv Ad