FMN kritikon qeverinë “Rama” për borxhin ndaj biznesit dhe koncesionet

0
21
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) i bën një skanim ekonomisë dhe financave shqiptare dhe thotë se ka konstatuar një seri problemesh që sipas saj duhet të marrin zgjidhje dhe në raste të caktuara nuk duhet të përsëriten më.

Një ndër shqetësimet është borxhi që shteti shqiptar i ka kompanive private që kanë kryer punë publike.

FMN thotë se deri në vjeshtën e vitit që u mbyll, ky borxh ishte të paktën 200 milionë euro.

Prej tyre, 140 milionë euro janë borxhe të qeverisë kurse 60 milionë të tjera nga bashkitë.

Tabelat e publikuara nga FMN-ja tregojnë se pjesa më e madhe e këtyre borxheve, rreth 90 milionë euro, janë TVSH e pakthyer për biznesin.

FMN i ka kërkuar qeverisë të paguajë sa më parë borxhet e prapambetura ndaj biznesit dhe njëkohësisht kërkon që t’i jepet fund një herë e përgjithmonë këtij fenomeni që, sipas tij, dëmton ekonominë.

Ekspertët e fondit nënvizojnë se këto borxhe vënë në vështirësi financiare biznesin dhe dëmtojnë të gjithë aktivitetin ekonomik.

“Parandalimi dhe kontrolli i detyrimeve të prapambetura kërkon forcimin e parashikimit të të ardhurave (duke përfshirë rimbursimet e TVSH-së), menaxhimin e likuiditetit,  dhe përmirësimin e kontrolleve të angazhimeve për investimet veçanërisht nga Autoriteti Rrugor.” thuhet në raportin e FMN-së.

Në raportin e saj që e gjeni të plotë këtu, FMN evidenton dhe shqetësime të tjera duke përsëritur kërkesën që të bëhet kujdes me koncesionet.

Në fund të vitit të kaluar qeveria kishte listuar 2.4 miliardë euro kontrata koncesionare të partneritetit publik-privat të nënshkruara ose në proces pritje për t’u nënshkruar.

FMN i kërkon qeverisë të ndërpresë menjëherë dhënien e koncesioneve pa garë dhe të përzgjedhë vetëm projekte që kanë leverdi ekonomike.

Sipas raportit, borxhet e prapambetura dhe koncesionet janë dy rrisqet më shqetësuese të brendshme.

Në raport, FMN paralajmëron dhe ulje të mundshme të rritjes ekonomike në nivelin nën 2 për qind, kur thotë se ekonomia shqiptare po kërcënohet edhe nga një tjetër risk i jashtëm, që është ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në eurozonë e veçanërisht në Itali dhe Greqi.

FMN-ja paralajmëron se nëse dy partnerët kryesorë të Shqipërisë do të rikthehen në recesion, atëherë rritja ekonomike e Shqipërisë mund të bjerë deri nën 2%.

Zjarr Tv Ad