Fondacioni “Fundjavë Ndryshe” i bashkohet kauzës së Presidentit të Republikës për dhurimin e gjakut

0
87
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Presidenti i Republikës,  Ilir Meta ishte sot në selinë e Fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, ku së bashku me të rinj e të reja asistoi në seancën e dhurimit të gjakut në kuadër të nismës së ndërmarrë nga “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”.

Arbër Hajdari, drejtuesi i Fondacionit “Fundjavë Ndryshe” falënderoi Presidentin e Republikës “për nismën fantastike që ka ndërmarrë”, duke i ftuar të gjithë të rinjtë të vazhdojnë veprat e tyre humaniste, veçanërisht të dhurimit të gjakut.

Duke shprehur mirënjohjen për të rinjtë e angazhuar e të përkushtuar ndaj veprave të bamirësisë dhe ndihmës sociale, Presidenti Meta, pasi i falënderoi përzemërsisht që iu përgjigjën thirrjes së “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”, vuri në dukje se kjo seancë tregon më së miri një ndjenjë të lartë përgjegjshmërie sociale dhe humanizmi.

“Të rinjtë e ‘Fundjavë Ndryshe’ janë vërtet të rinj të veçantë. Janë ata të rinj që i duhen shoqërisë dhe rinisë sonë si model i angazhimit social, solidaritetit, vullnetarizmit dhe gjithëpërfshirjes.

Është detyra jonë që t’i promovojmë këto modele solidariteti dhe përfshirjeje shoqërore pasi një vend dhe një shoqëri nuk mund të ecë në mënyrë individuale përpara dhe aq më tepër të mbarë.

Vetëm të bashkuar dhe duke ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë, shoqëria dhe rinia jonë mund të kapë ritmin që dëshiron në jetë për të realizuar ëndrrat dhe dëshirat brenda vendit dhe jo në emigrim.

Rinia jonë nuk duhet të bjerë pre e depresionit dhe gjithë atyre vartësive negative si droga, alkooli, bastet, etj., të cilat u humbasin qëllimet e mira dhe motivimet në jetë për të realizuar potencialin dhe talentet e tyre.” – u shpreh Presidenti Meta.

“Jam shumë i kënaqur që takimin e parë publik, pas vizitës te Papa Françesku ta bëj me ju, të rinjtë e të rejat e angazhuar.

Ajo që më bëri shumë përshtypje në audiencën e posaçme me Atin e Shenjtë ishte shqetësimi i tij për ‘dimrin demografik’ që po përjeton Europa dhe njëkohësisht që gjatë vizitës së tij në Shqipëri para katër vitesh kishte parë kaq shumë të rinj, ‘të cilët – tha, – nuk duhet t’i humbisni dhe për të cilët duhet të kujdeseni më shumë që ta shohin të ardhmen aty.” – theksoi Presidenti Meta.

“Ndaj dhe unë besoj se duke ardhur sot këtu, mesazhi ynë për të gjithë të rinjtë është që të bëjnë vepra të mira, që të kenë qëllime pozitive në jetë, sepse kështu i shërbejnë realizimit të potencialit të tyre dhe një të ardhmeje të sigurtë. Kështu u shërbejnë aspiratave të prindërve të tyre, të cilët kanë sakrifikuar shumë për t’i rritur, për t’i edukuar. Kështu i shërbejnë edhe vendit, edhe atdheut, sepse në këtë periudhë globalizimi vende modeste si i yni, ashtu sikurse kanë disa avantazhe që vijnë nga përdorimi i teknologjive, ashtu edhe rrezikohen në rast se nuk kujdesen çdo ditë për të investuar, për forcimin e vlerave kombëtare, shoqërore, njerëzore, të familjes e në mënyrë të veçantë, duke e ndihmuar e mbështetur njëri-tjetrin.

Ju e keni nisur edhe më parë këtë nismë, në kuadër të shumë nismave që të rinjtë e ‘Fundjavë Ndryshe’ kanë realizuar jo vetëm në drejtim të dhurimit të gjakut, por njëkohësisht edhe në drejtim të ndihmave që ju keni dhënë duke u angazhuar edhe në restaurimin e shtëpive, të familjeve që jetojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira, duke dhënë bursa për nxënës me rezultate të larta, të cilët kanë mundësi të kufizuara ekonomike për të përballuar studimet e tyre, duke dhuruar çanta për fëmijë me vështirësi për të pasur këto mundësi minimale, si dhe shumë angazhime e ndihma të tjera ekonomike për familje të varfëra, për të cilat ju përgëzoj!

Besoj se përfshirja e të rinjve në të tilla kauza kaq humane, jo vetëm si ‘Aleanca jonë për Dhurimin e Gjakut’, por edhe për të gjitha çështjet sociale ku duhet ta ndihmojmë e ta mbështesim njëri-tjetrin, do ta bëjë shoqërinë tonë një shoqëri më të mirë e më të mbarë, më të shëndetshme e më të begatë!

Ju falënderoj edhe një herë dhe ju uroj suksese e mbarësi në të gjitha nismat tuaja sociale dhe në të gjitha këto vepra të mira që keni bërë dhe që do të vazhdoni t’i bëni!” – nënvizoi Presidenti i Republikës në apelin e tij publik.

 

Zjarr Tv Ad