Nisma e suksesshme e Bashkisë së Tiranës, e cila u vjen në ndihmë qytetarëve për rikonstruksionin e pallateve me “Fondin e Komuniteteve”, do të vijojë edhe gjatë 2019-s. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte sot në Njësinë 4, ku inspektoi restaurimin e fasadës së pallatit në Rr. “Myslym Alla”.
“Mezi pres që këtë frymë ta vazhdojmë edhe gjatë 2019-ës. Ne kemi miratuar sërish një fond për pallatet. Edhe për ata që kanë qenë ndoshta dyshues. Pallatet e tjera shohin një pallat që ka dalë në dritë dhe inkurajohen edhe ata. Më vjen mirë që pjesa më e madhe e komunitetit që kanë bashkëpunuar nuk janë bosa dhe pasanikë, janë edhe pensionistë, edhe nga komuniteti rom, egjiptian, edhe njerëz me mundësi të vogla ekonomike. Por, ku ka vullnet, ka gjithmonë një rrugëdalje”, tha Veliaj.
Falë projektit të Bashkisë, 45 familjet e këtij pallati të ndërtuar para viteve ’90 dhe ku nuk ishte vënë dorë prej vitesh, do të kenë kushte më të mira jetese. “Erdha ta shoh vetë se si edhe një lagje, edhe një komunitet, një bllok pallatesh që nuk e ka shtëpinë në qendër të Tiranës, arrin të organizohet dhe të transformojë realitetin e tij. Estetika, e bukura i ndryshon gjërat, e hijshmja, e pastra, e transformon një qytet, ndaj dua të falenderoj shumë administratorin që ka bërë të gjithë banorët bashkë”, tha ai, teksa ftoi që ky shembull të ndiqet edhe nga komunitetet e tjera.
“Unë i dëgjoj njerëzit kur thonë: ‘Është kollaj të bëhet në Bllok, se aty njerëzit kanë më shumë para’. Jo, kjo mund të ndodhë kudo. Mjafton pak bashkëpunim. Kam parë jo vetëm cilësinë e punimeve, por kam parë faktin se këtu është rritur edhe cilësia e bashkëjetesës në komunitet”, shtoi Veliaj.
Krahas përmirësimit të jetës së banorëve që jetojnë në këto pallate, ndërhyrja ka sjellë edhe përfitime ekonomike duke rritur vlerën e pronës dhe ulur faturat e energjisë.
“Sot ka më shumë vlerë shtëpia, sot është ulur fatura e energjisë elektrike që përdoret për ngrohje në këto ditë të ftohta. Besoj ia kemi parë hajrin këtij bashkëpunimi. Nëse ne shqiptarët bashkëpunojmë, mund të bëjmë mrekullira. Nëse harxhojmë kohë duke penguar njeri – tjetrin, nuk qullosim asgjë. Me qenë qytetar dhe kryeqytetas, nuk ka nevojë ta kesh adresën tek sheshi “Skënderbej”, por në çdo hapësirë ku tironsit bëhen bashkë dhe ku punojnë me qëllime të mira, në një drejtim të atyre që i kanë zgjedhur vetë, me ndihmën financiare të Bashkisë që mbështet atë që banorët ngrenë bashkë, mund të bëjmë mrekullira”, përfundoi kryebashkiaku.