Franca nën akuzë për Libinë

0
1

Trafikantët e qenieve njerëzore po përfitojnë nga kaosi në Libi dhe po përgatisin anije dhe gomone për të nisur refugjatë drejt Italisë. Sipas një raporti të autoriteteve të zbulimit të parë nga e përditshmja “Corriere della Sera”, janë rreth 6000 refugjatë në pritje për t’u nisur drejt brigjeve italiane, por ajo që mbetet në dyshim është aftësia e Rojës Bregdetare të Libisë për të kontrolluar hapësirën detare.

Ndërsa grupet militante po përplasen për të marrë në kontrollon kryeqytetin Tripoli, zyrtarë të zbulimit thonë se “në terren mbeten aktivë edhe një sërë grupesh të lidhura me Shtetin Islamik, e duke përfituar nga kaosi i krijuar mund ta kthejnë Libinë në Sirinë e re”.

Tensioni mbetet i lartë në vend dhe ka dyshime se mareshali Khalifa Haftar po ndihmohet në terren nga specialistë ushtarakë francezë. Ky dyshim gjen mbështetje edhe në disa burime të mirëinformuara libiane, që konfirmuan praninë e “ekspertëve ushtarakë” francezë në Garian. Ndërkohë Wall Street Journal, njoftoi se disa ditë para fillimit të ofensivës mbi Tripolin, mareshali Khalifa Haftar mori dhjetëra milionë dollarë nga Arabia Saudite.

Garian është qytet nën kontrollin e plotë të Haftar-it. Ai ndodhet rreth njëqind kilometra në jug të Tripolit.

Të shtunën një shkollë u gjuajt me raketa në periferinë jugore të Tripolit, por trupat besnike të kryeministrit Fayez al-Serraj e të njohur nga Kombet e Bashkuara, po luftojnë kundër grupeve militante që duan të marrin kontrollin e kryeqytetit libian.