France – Tjetër skandal për Francois Fillon

0
625
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Fushata e kandidatit presidencial francez, Francois Fillon pëson një tjetër goditje të rëndë, teksa menaxheri i fushatës së tij ka dhënë dorëheqjen një ditë më parë.

Patrick Stefanini është shprehur se dorëheqja e tij do të hyjë në zbatim mbrëmjen e së dielës.

Më herët, Unioni i Demokratëve dhe të Pavarurve kërkoi që Partia Republikane e zotit Fillon, të zgjidhte një tjetër kandidat, në prag të një skandali mbi pagesat.

Pretendohet se bashkëshortja e tij dhe fëmijët janë paguar për punë parlamentare të cilat ata nuk i kanë kryer asnjëherë.

Detajet për largimin e shefit të fushatës së Fillon dolën në dritë pasi gazeta franceze Journal du Dimanche, publikoi letrën e dorëheqjes së zotit Stefanini.

Ky i fundit shkruan se e ka këshilluar zotin Fillon të përmbyllë fushatën e tij pas hetimit që nisi lidhur me çështjet e tij financiare. Mosbesimi se Fillon do ta kalojë raundin e parë të votimeve dhe pozicioni jo i favorshëm i tij për të drejtuar fushatën, citohen si arsyet për largimin e Stefaninit.

Zoti Fillon ka humbur tashmë anëtarë kyç të skuadrës së tij dhe ministra të caktuar të vetë partisë së tij, po kërkojnë që ai të zëvendësohet nga Alain Juppe, i cili humbi zgjedhjet primare ndaj Fillon, nëntorin e kaluar.

Por përtej presionit politik, Fillon mohon të ketë bërë diçka jo të drejtë dhe thotë se është viktimë e një “vrasjeje politike”. Humbja e mbështetjes së Unionit të Demokratëve dhe të Pavarurve përfaqëson gjithashtu një sfidë madhore për fushatën e tij.///

 

Zjarr Tv Ad