Ish-kandidati për kreun e Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli ka reaguar për vendimin e Lulzim Bashës për të shpallur zgjedhjet në FRPD.
Përmes një postimi në facebook, ai shkruan se Forumi Rinor i Partisë Demokratike nuk mund të kthehet në një levë të partisë, por në një organizatë demokratike europiane.
Kadilli iu bën thirrje të rinjve demkratë që të refuzojnë sjelljen prej padroni të Bashës, por të mos kërkojnë shpëtim tek një tjetër padron, duke iu referuar këtu ish-kryeministrit Sali Berisha.
“Ndërhyrja në FRPD, një tjetër akt flagrant nga Kryetarokrati Basha.Forumi Rinor i Partisë Demokratike duhet të kthehet në organizatë demokratike europiane, dhe jo të mbetet organizatë e tipit sovjetik të “levës së partisë”.
Forumi nuk duhet të jetë një strukturë burokratike me “udhëheqës” të rëndë. Forumi duhet të jetë një bashkim i lirë, pa burokraci, i të rinjve që kanë mision përhapjën e ideve të djathta dhe nxitjen e rinisë të marrë pjesë në politikë.Të rinjtë demokratë duhet ta refuzojnë sjelljen prej padroni të Bashës, por nuk duhet ta kërkojnë shpëtimin tek një tjetër padron.
Ata duhet të tregojnë se janë njerëz të lirë, në mendësi dhe në veprime. Ata duhet të tregojnë se janë brezi që do e çojë vërtet PD-në drejt të ardhmes europiane”, shkruan Kadilli.
FRPD ka dalë kundër vendimit të liderit demokrat Lulzim Basha, duke e quajtur “nul”, ndërsa kryetari Bellind Këlliçi u shpreh se nuk e njohin këtë proces zgjedhjesh, pasi sipas tyre po synohet të uzurpohet FRPD-ja.