Analisti i njohur, Frrok Çupi ka komentuar zgjedhjet brenda Partisë Demokratike, ndërsa ka shpërthyer në akuza të forta në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Ky i fundit, bashkë me familjen e tij pak ditë më parë u shpall “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, me arsyetimin se ka minuar demokracinë dhe se gjatë ushtrimit të detyrës së kryeministrit është përfshirë në afera korruptive.
Por në lidhje me këtë zhvillim dhe për garën e nisur në selinë blu, analisti Çupi ka paralajmëruar zhvillime të bujshme. Gjatë një prononcimi për mediat, zoti Çupi u shpreh se ish-kryeministri Berisha është armik i demokracisë, ndërkohë që theksoi se shpallja “non grata” e tij nga amerikanët do fundosë edhe PD-në.
“Si mund të ketë zgjedhje sot? Sot, me shpalljen e Berishës minues i demokracisë “i përshirë në korrupsion të madh”, PD-së i kanë dalë brinjët. Luli as do të japë dorëheqje, as do të zgjidhet. Luli do të emërohet kryetar i PD, sa të jetë Berisha këndej pari. PD-në e merr me vete Berisha në rrugën për ku është nisur pas krimeve 30-vjeçare”, – deklaroi ai.
Më herët, analisti i njohur, Frrok Çupi zbuloi se ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta, do të shkaktonin trazira e madje do të çonin vendin në destabilitet, meqenëse opozita humbi zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, por që sipas tij, ky skenar ogurzi u ndal nga amerikanët, të cilët mësynë në Shqipëri për një stërvitje ushtarake.
Pas humbjes në zgjedhjet e 25 prillit këta ishin bërë gati ta hidhnin pasurinë në fushën e betejës për grushte shteti dhe për marrjen e pushtetit me forcë. Në përballimin e rrezikut të parë, garante e sigurisë së popullit dhe shtetit shqiptar u ndodh ushtria amerikane dhe NATO-s në vendin tonë”, – tha Çupi.