Vendosmëria e ish-kryeministrit Sali Berisha për të mos u larguar nga politika dhe ambicia për t’u rikthyer në krye të Partisë Demokratike pritet t’i hapë telashe demokratëve dhe selisë blu. Me fitoren e Bashkisë së Shkodrës në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, ish-kryeministri Berisha është shprehur optimist se kjo rezultat i dha më në fund të drejtë atij dhe mbështetësve të tij, ndërkohë që triumfi ishte edhe një shuplakë për kreun e PD, Lulzim Basha. Por sa i takon këtij debati, dje ka regjura edhe analisti i njohur, Frrok Çupi. Ky i fundit përmes një statusi në rrjetet sociale, shprehu bindjen se Partia Demokratike mund të shpallet organizatë terroriste nga SHBA nëse Berisha rikthehet në krye të saj. “Mos e bëni këtë mëkat që ta ledhatoni Berishën sikur ‘fitove, doktor!’. Çfarë po pret ai, e çfarë i thoni ju?.. Ç’më sjell në kujtesë kjo pyetje! Në Iran, në revolucionin e Ayetollah Khomeinit, u vu censurë vrasëse. Ç’i kërkojnë këta Berishës?, s’ka më makabre se t’i kujtosh fitore. Ai i ka larë duart me politikën, që ditën kur Amerika i tha se çdo politikë e tij do të jetë një organizatë terroriste si ‘ai burri në Iran’. Vetë PD e ka marrë rrugën drejt greminës pikërisht si meritë e Berishës”, shkruan ai.
Më tej në analizën e tij, zoti Çupi shprehte se ish-kryeministri Sali Berisha është optimist për shkak të triumfit të koalicionit “Shtëpia e Lirisë” në zgjedhjet e kësaj të dielë, ndërsa shtoi se edhe lufta Rusi-Ukrainë, sipas tij, i ka dhënë zëmër ish-lideri demokratë. Madje analisti Çupi akuzoi zoti Berishën se do të nis vrasjen e kundërshtarëve për të trembur amerikanët dhe për të treguar se Partia Demokratike është pronë e tij. “Kjo është një çështje më vete. Atyre u duhet ‘fitorja’ false që të nisin gjuetinë e tyre. Këta janë o të korruptuarit, o trafikantët e pasuruar, ose anëtarë të policisë sekrete të Berishës. Këta kanë marrë guxim prej luftës së Rusisë në Ukrainë. Fillimisht kanë ngritur linjën anti- amerikane që po bëhet përditë më vulgare. Pastaj mund të nisin vrasjet në rrugë, si në fillimet e pushtetit të Berishës; vrasjen e kundërshtarëve, si gjithë vitet e Berishës në PD”, u shpreh ai.
Por pavarësisht lojës së fortë që ish-kryeministri Sali Berisha po bën në prapaskenë për të uzurpuar Partinë Demorkatike, analisti Frrok Çupi theksoi se është e vështirë që Lulzim Basha të largohet nga PD-ja. Sipas tij, të gjitha ata që po sulmojnë tani Bashën janë frikacakë. “Këta e duan fitoren, ‘o tani o s’ka!’. Disa prej tyre e duan pushtetin për vete; por çfarë ndryshimi mund të ketë?! Secili në PD është si secili tjetër; nuk është Luli më keq se Partia dhe më keq se shokët. Por as largimi i tyre nuk bën efekt, megjithëse ata të Foltores po shikojnë siç shikon macja për peshk. Nuk bie Basha! Edhe sikur pesë vetë të mbetën aty, kjo do të jetë PD me kryetar Lulin; mjaft që një nga të pestët të mos jetë Saliu. As mos pritni ndonjë fitore, nga Basha pritet vetëm që Berisha &Co të mos jenë më”, tha ai. Ndërkohë analisti Frrok Çupi theksoi se Berisha mund të triumfojë vetëm nëse Rusia fiton kundër botës. “Po parulla e Berishës se ‘tani dua ta bashkoj PD-në’? Kjo parullë më duket se është e vetmja e sinqertë e jetës së Berishës. Ai e ka PD-në si petë lakrori, e hap kur do dhe e shqyen kur do. Kësaj here i duhet e bashkuar; sepse do që t’i hipë në krye. Amerika e ka ndaluar të jetë në PD, por ai do t’i hyjë nga dritarja. Atëherë ‘e ka mundur’ për herë të dytë Amerikën. Por kjo nuk bëhet… vetëm nëse Moska fiton kundër Botës. Atëherë edhe Luli do të jetë bashkë me Saliun. Të dy i kanë sytë nga Moska, si përherë”, nënvizio analisti Frrok Çupi.