Frrok Çupi: Vetë Sali Berisha e ndërtoi skemën që delegatit të tij në Vaun e Dejës t’i vinin tritol në makinë…

0
54
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Frrok Çupi

Sot kur mora vesh se delegatit të ‘Foltores’ në Vaun e Dejës i kishin shpërthyer makinën, ndjesia e parë më erdhi të kontrolloj nëpër rreshta, me frymë të ndalur…, por pashë se ‘delegati’ nuk kishte pësuar gjë.

Të tjerat nuk kanë më rëndësi. Rëndësi e tmerr do të kishte shpërthyer nga Shkodra, nëpër gjithë vendin, sikur të ishte dita e zezë, 2 Prill 1991, kur në Shkodër u vranë katër aktivistë të Partisë Demokratike.

Mund t’i lejoj vetes të them një gjë që e njoh si të vërtetë: Arben Broci që u vra diku në cepin e turmës që po digjte ‘Komitetin’, ishte më i miri e më i kthjellëti i gjithë studentëve që trokitën në zyrën e Presidentit komunist Alia, për të marrë leje që të krijonin Partinë Demokratike.

Arbenit i ishte shënuar ora e vrasjes që përpara se të mblidheshin turmat para Komitetit; vetë ai nuk dinte asgjë çfarë po bënte Partia e tij me trazirat. Sapo kishte hyrë në Kafe të Madhe e po gjente pak prehje pas lodhjes që i shkaktoi fushata e zgjedhjeve…, e morën pupthi e direkt në vendin e vrasjes.

Edhe atëherë, fushatë zgjedhore ishte, si sot në Va- Dejë. Vetëm 2 ditë më parë ishin mbajtur zgjedhjet e para pluraliste të 31 Marsit, por mund të themi se votimet ishin vetëm ditën para vrasjes së të katërve- në datë 1 prill, dita para datës 2; atëherë dolën rezultatet. Në Shkodër kishte fituar Partia Demokratike. PD duhej të festonte, nuk kishte asnjë arsye që në Shkodër të shpërthente pakënaqësia, ose urrejtja, ose revolta, ose akti i tmerrshëm i vrasjes dhe i djegieve.

Por kjo ndodhi dhe mbeti si plagë e pashërueshme për gjithë vendin. Me sa duket ajo që ndodhi ishte projektuar më parë, sido që të dilnin rezultatet. Eksponentë të lartë të PD, ditën para 2 prillit, lanë Tiranën dhe u panë në Shkodër thuajse gjithë ditën. Një telefonatë që erdhi në redaksinë e RD-së në 2 prill lajmëroi se këtu në Shkodër ‘2 vetë u vranë’, por lajmi u prit pa ndonjë efekt prej liderëve të lartë të PD.

Edhe kjo dukej sikur dihej… Sikur bomba e vënë në makinën e delegatit të Foltores për Vaun e Dejës, që marrim vesh sot, të kishte shpërthyer atëherë- kjo do t’i kishte vënë zjarrin Shkodrës.

Tani nuk mund të përhapet zjarri; sepse tani shteti është kompletuar me fuqinë dhe arsyen e sigurisë e të paqes, sepse njeriu tani i është afruar normalitetit dhe se aleatët tanë strategjikë janë të zotët e sigurisë në rajon.

Po pra, por a mund të themi se kemi një kopje të shëmtuar e minore të 2 prillit 1991?!

Në të gjitha rrethanat është atmosfera dhe ‘ajri i dhunës’ që ka ndjekur çdo fushatë të PD në 3 dekada. Ka prapë disa elementë, siç bomba lë copëza metalike kur shpërthen, elementë që kanë mbetur që në fillesa, në 2 prill. Mbi të gjitha është vetë kryetari i asaj kohe, Sali Berisha.

Ky, gjithë strategjinë e ‘luftës’ dhe të rekrutimit, e bazon mbi dhunën, korruptimin dhe terrorin. Kësaj herë nuk ka aq shumë te rekrutuar për luftë sa ç’ kishte atëherë, por ka më shumë motive personale që të shkaktojë trazira. Të ishte vrarë ai njeriu i cili thotë se ‘nuk kam arsye’ që të më godasin, kjo do të vlente për Foltoren. Sa kohë Sali Berisha ndodhet në qarkullim, aq kohë vendi nuk mund të ketë paqe, as stabilitet, as siguri.

A mos po them, vallë, se vetë Sali Berisha e ndërtoi skemën që delegatit të tij në Vaun e Dejës t’i vinin tritol në makinë?

Nuk do të gaboja. Unë e njoh dhe paradigmën e besoj; por a e besojnë të tjerët. E mira do të ishte që të priten përfundimisht fijet e faktorit të ‘besimit ose mosbesimit’ te dhuna dhe terrori.

Është shumë e thjeshtë për t’u bërë, sepse një vetëm njeri mban më këmbë frikën. Nuk kemi më kohë të rrokanisemi me dilemat: ‘Ta besojmë a mos besojmë’ tek ajo që na ka bërë të keqen më të madhe; ashtu siç nuk kemi kohë që sapo shpërthen një makinë, kthejmë kokën e na dalin para syve mizoritë e 2 Prillit.

Zjarr Tv Ad