Gjyqtarja e Rrethit Gjyqësor Pukë, Flutura Hoxha u përball të martën në mesditë me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, ku gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për mbi barrën e provës që i kishte kaluar për kriterin e pasurisë. Ndërkohë, ajo u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, ndërsa për profesionalizmin nuk u evidentuan gjetje domethënëse.
Procesi i rivlerësimit ndaj gjyqtares Hoxha po kryhet nga trupa e KPK-së e kryesuar nga Etleda Çiftja, me relator Roland Ilian dhe anëtare Pamela Qirkon. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.
Komisioni konstatoi pasaktësi dhe mospërputhje në deklarimin e pasurisë. Sipas relatorit Ilia, gjyqtarja Hoxha ka shpjeguar në deklaratën ‘veting’ se ka krijuar kursime deri në vitin 2015 që ua ka dhënë prindërve, por pa deklaruar vlerat konkrete të kursyera në deklarimet periodike. Gjithashtu, nuk ka deklaruar as pakësimet e gjendjeve cash për shumat që u ka dhënë prindërve që janë investuar në disa depozita prej të atit.
Relatori Ilia sqaroi se subjekti nuk ka deklaruar ndonjëherë pasuri në përdorim apo zotërim të saj. Ndërkohë, në pronësi të prindërve kanë rezultuar disa pasuri të paluajtshme, dy në qytetin e Pukës të përfituara para se gjyqtarja Hoxha të fillonte detyrën dhe dy apartamente në Tiranë.
KPK konstaton se shtëpia që prindërit zotërojnë në Pukë, që është deklaruar si adresë banimi nga subjekti rezulton të jetë ndërtuar në vitin 1982 dhe është përfituar me një vendim gjykate të vitit 1994.
Objekti i dytë që prindërit e zotërojnë në Pukë, një magazinë, rezulton të jetë blerë prej tyre në vitin 1996, po përpara fillimit të detyrës. Ilia deklaroi se subjekti është pyetur përse nuk ka deklaruar shtëpinë në përdorim dhe burimin e krijimit.
Gjytarja Hoxha i pranoi një pjesë të pasaktësive në deklarime dhe shpjegoi se ka jetuar dhe jeton me prindërit, nisur dhe nga fakti se nuk ka krijuar familjen e saj. Lidhur me mosdeklarimin e përdorimit të shtëpisë në Pukë, subjekti shpjegoi se aty kishte lindur dhe ishte rritur dhe se e kishte shënuar gjithmonë si adresë banimi.
Për një apartament të blerë nga babai në Tiranë në vitin 2007, subjekti ka shpjeguar gjatë hetimit administrativ se ka kontribuar, por nuk ka specifikuar vlerën konkrete të shpenzuar prej saj. “Subjekti ka shpjeguar se burim krijimi për këtë pasuri kanë qenë të gjitha të ardhurat e familjarëve”, tha Ilia.
KPK vlerëson se subjekti rezulton të ketë pasur dhe të ketë marrëdhënie interesi me familjarët në cilësinë e bashkëfinancueses së kësaj pasurie, si dhe për përdorimin. Ilia sqaroi se analiza financiare është kryer për periudhën 1998-1997, ku sipas tij janë përfshirë dhe të ardhurat e subjektit, nga ka rezultuar balancë negative në shumën rreth 2 milionë lekë për blerjen e apartamentit.
Komisioni ngre dyshime se apartamenti është blerë për strehimin e gjyqtares Hoxha kur ajo është emëruar si inspektore pranë ish-KLD-së dhe se është përpjekur ta fshehë këtë pasuri si dhe burimin e krijimit.
Bazuar në një denoncim, KPK ka verifikuar dhe një tjetër apartament të blerë në Tiranë prej prindërve të subjektit, por pasi është qartësuar se i është dhuruar vëllait të saj të ndjerë dhe fëmijëve të tij, kjo pasuri nuk është përfshirë në hetim.
Gjyqtarja Hoxha i kundërshtoi konkluzionet e KPK-së për pasurinë dhe e konsideroi të gabuar metodologjinë e përdorur në analizën financiare.