Në një vendim absurd dhe tërësisht qesharak, institucioni i futbollit ka regjistruar për pjesëmarrjen në kualifikueset e Europianit 2021 një ekip kombëtar i cili nuk ekziston, nuk ka trajner e strukturë stafi, e nuk ka bërë asnjëherë grumbullim prej 2 vitesh. Bëhet fjalë për ekipin Shpresa të futbollit të femrave, i cili është regjistruar nga FSHF në këtë aktivitet dhe në shkurt do të njohë emrat e kundërshtareve me të cilët përballet në aktivitetin, ndeshjet e të cilit fillojnë në fund të gushtit. Sigurisht, edhe për krijimin e këtij ekipi përfitohen fonde nga UEFA dhe duket se kjo është parësore para aspektit sportiv, pasi duket e pakuptimte që të regjistrohet një ekip që nuk ekziston. Nuk ëhstë çudi pastaj që të merret pjesë në një aktivitet ndërkombëtar duke pësuar humbje skandaloze siç ndodhi me U17 të femrave që u grumbullua për herë të parë 2 muaj para turneut e pastaj atje u mund 14-0.
Një ekip i ngjashëm u “sajua” në vitet 2015-2016, ku Armir Grimajt, ish-trajnerit të burgosur të Shqipërisë së femrave, iu la në dorë një ekip me vajza të reja që mori pjesë në eliminatoret e Europianit, sigurisht duke humbur të 8 ndeshjet, ndërsa e mbylli me golavarazhin 3-31 këtë eksperiencë. Që atëherë, ekipi U21 i femrave nuk është mbledhur më dhe nuk ekziston përtej ndonjë shkrese që mund të gjendet në FSHF.