Jeton i vetëm, ndërsa tavani i shtëpisë po i bie brenda. Asllan Çekaçi, 61-vjeçari në lagjen “Liria” të qytetit të Shkodrës, bën apel për ndihmë, teksa thotë se mbledh kanaçe për të siguruar jetesën.
Ai merr një ndihmë ekonomike vetëm 15 mijë lekë të vjetra në muaj, ndërkohë thekson se nuk e marrin në punë për shkak të moshës që ka.
“Unë jetoj i vetëm. Tavani i shtëpisë po më bie sipër. Unë kërkoj ndihmë, pasi jetoj me vetëm 15 mijë lekë të vjetra asistencë. Fitoj ndonjë gjë vetëm nga kanaçet që i mbledh. Njerëzit më kanë ndihmu me ushqime sa me mbajt veten gjallë. Në këtë shtëpi kam 10 vite që jetoj.
Fukara kam lindur, fukara do të vdes dhe nuk dua të bëhem pasanik, por të më rregullohet banesa,” – thotë 61-vjeçari, që jeton në kushte të vështira ekonomike.