Prokuroria ka ngritur tre akuza ndaj ish Këshilltares së Kryeministrit Edi Rama.
Policia arrestoi mbrëmjen e së premtes, 3 shkurt, Alda Klosin, pasi në banesën e saj dyshohet se në muajin dhjetor, u vodhën mbi 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarë nga Rozeta Dobi, e cila punonte si pastruese në nje banesë të marrë me qera prej Klosit.
Ish-zyrtarja e Kryeministrisë akuzohet për fshehje pasurie, pastrim parash dhe deklarim të rremë para oficerit të policisë.
Ngjarja tërhoqi vëmendje më së shumti për faktin se si një sasi prej më shumë se 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarësh gjendeshin cash në shtëpinë e Alda Klosit.
Dyshimet mbi rastin u shtuan, pasi Klosi dha dy deklarime të ndryshme mbi paratë e vjedhura.
Ditën kur ndodhi grabitja në banesën e saj ajo deklaroi në polici se i mungonte vetëm një sasi parash që nevojiteshin për shpenzime dhe mbarëvajtjen jetike të përditshme.
Dhe vetëm 3 javë më pas, në 7 Janar, kur u arrestua Rozeta Dobi, ajo befas njoftoi se kishte konstatuar se i mungonin mbi 120 mijë euro dhe 30 mijë dollar që sipas saj i kishte marrë nga xhaxhai i saj, për t’u kujdesur për shtëpinë dhe djalin e tij, ndërkohë që ai ishte për kurim në SHBA.
Burimet thanë se arrestimi i Alda Klosit vjen në një moment që ish-pastruesja e saj e arrestuar bashkë me të birin, Rozeta Dobi, “është zbërthyer” me një dëshmi të gjatë duke nxjerrë kështu zbuluar zyrtaren e shtetit shqiptar.
Rozeta Dodi u arrestua pas denoncimit në Polici të familjes Klosi për vjedhjen e një shume 120 mijë euro, por që më pas nga përgjimi i pastrueses, në shtëpinë e kësaj të fundit u zbulua dhe një shumë tjetër e madhe parash, rreth 400 mijë euro.
Mësohet se Rozeta Dobi ka treguar mes të tjerash para hetuesve se “kam parë shumë para, kam pastruar shumë shtëpi. I shikoja shpesh nëpër kuti, m’i la t’i fshihja”.
Alda Klosi ka mbuluar funksione të larta në administratë, si ish drejtoreshë e koncensioneve në ministrinë e Financave para disa vitesh dhe deri në korrik të 2022, shefe e kabinetit të ish zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj, për të kaluar më pas në Autoritetin e Mbikqyrjes Financiare.