Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka urdhëruar marrjen e masave shtesë përgjatë muajit gusht, për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Burime zyrtare të Policisë bëjnë me dije se kryepolici Nano, nëpërmjet një letërporosie, ka kërkuar nga drejtorët vendorë dhe të kufirit, marrjen e menjëhershme të masave shtesë për sigurinë e pushuesve.
Reagimi dhe kërkesa e numrit një të Policisë së Shtetit vjen pasi janë shënuar raste pakujdesi të përdoruesve të mjeteve ujore në afërsi të vendeve ku pushojnë turistët.
Masa drastike janë marrë sidomos nga dy drejtori policie, zonat bregdetare të të cilave kanë rezultuar edhe problematike. Bëhet fjalë për Vlorën dhe Lezhën, ku ditëve të fundit është ndërhyrë me patrullim përgjatë gjithë vijës së plazhit ku iu rrezikohet jeta pushuesve.
Po ashtu, në rrugët e mbingarkuara, sërish Lezha dhe Vlora janë dy më problematiket, duke krijuar jo vetëm radhë kilometrike, por edhe shtim të numrit të Policisë Rrugore në akset problematike.
POROSIA E KREUT TË POLICISË
Nisur nga fluksi i lartë i turistëve, vizitorëve dhe bashkëkombësve tanë, që vijnë për të kaluar pushimet gjatë muajit gusht, në Shqipëri, si dhe në kuadër të masave për rritjen e parametrave të sigurisë në plazhe, me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e shtetasve që kryejnë manovra të rrezikshme me “Jet ski” dhe mjete të tjera lundruese, në afërsi të bovave dhe ndonjë rast brenda perimetrit të sigurisë, lind nevoja për marrjen e masave shtesë, konkretisht:
Të caktohen punonjës policie, kryesisht të Policisë Kriminale a të Rendit, për të patrulluar në vijën bregdetare, aty ku ka grumbullime masive të pushuesve dhe të filmojnë çdo rast të tentativës për manovra të rrezikshme nga “Jet ski”-të apo skafet, qoftë brenda perimetrit të sigurisë, ashtu edhe në afërsi të perimetrit të sigurisë.
Punonjësit e Policisë që janë me shërbim në plazhet e vendit të instruktohen dhe të angazhohen në punë, si turni i parë ashtu edhe i dyti, për të patrulluar pandërprerë në vijën bregdetare dhe të evidentojnë çdo mjet lundrues që cenon sigurinë e jetës së pushuesve.
Qoftë punonjësit civilë, ashtu edhe punonjësit me biçikleta apo me patrullat e rendit, për çdo rast të konstatuar, filmimet t’ua dërgojnë menjëherë Policisë Kufitare, e cila të reagojë në kohë reale duke bllokuar mjetin dhe duke e ndëshkuar me masë administrative.
Policia Kufitare të rrisë patrullimet dhe të koordinojnë veprimet me Policinë vendore, për të parandaluar dhe për të reaguar në kohë ndaj këtyre shkeljeve që krijojnë imazh negativ për vendin, cenojnë efektivitetin e punës së Policisë dhe krijojnë frikë dhe panik te pushuesit.
Në letërporosi gjithashtu thuhet se Gledis Nano ka kërkuar rritje të prezencës policore përgjatë muajit gusht edhe në zonat turistike e malore. Gjithashtu drejtori Nano ka kërkuar monitorim intensiv të qarkullimit rrugor me mjetet inteligjente, radarët automatikë e dronët edukues me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.