Prokurori Altin Dumani është bërë magjistrati i tretë i cili ka depozituar kandidaturën për t’u bërë kryetari i SPAK.
Afati i fundit për të aplikuar në këtë post që drejtohet aktualisht nga Arben Kraja është 2 nëntori, deri në orën 00:00.
Kush është Altin Dumani:
Altin Dumani e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore në vitin 1999, ndërsa në vitin 2000 është emëruar drejtues i Prokurorisë së Tropojës.
Në vitin 2004, Dumani u zgjodh prokuror i Krimeve të Rënda ku ka mbajtur edhe pozicionin e zv.drejtusit deri në vitin 2007.
Po në këtë vit, u transferua në Prokurorinë e Tiranës në pozicionin e zv.drejtuesit në sektorin e krimit ekonomik.
Në vitin 2010, Altin Dumani u promovua në Prokurorinë e Apelit të Tiranës dhe prej fillimit të vitit 2019 u komandua si drejtues i Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda.
Ai është angazhuar gjithashtu në mësimdhënie edhe si ekspert pranë Shkollës së Magjistraturës.
Njihet si prokurori “i pakompromis”. Altin Dumani u bë drejtues prokurorie për herë të parë në Tropojë, në vitin 2000, një post sipas tij ishte refuzuar nga shumë të tjerë për shkak të çështjeve problematike atje.