Dikur ëndërronte të fitonte “Topin e Artë”, por “Mister 100 milionëshi” tani po përpiqet të gjejë një klub për të luajtur. Bëhet fjalë për Gareth Bale, që është penalizuar së tepërmi nga dëmtimet e njëpasnjëshme, duke munguar edhe në listën e të grumbulluarve të Realit të Madridit. Tashmë, uellsiani ka kohën për të zgjedhur, por jo për tu larguar nga kryeqyteti spanjoll. Paga faraonike që përfiton te Reali është tepër e lartë për arkat e gjigantëve më të mëdhenj të Europës, që stepen sapo shikojnë shifrën e 17 milionë eurove.
Manchester United kishte shfaqur interes për të, por moskualifikimi në UEFA Champions League pritet të ndryshojë planet e “djajve të kuq”. Tjetër kandidaturë ishte ajo e Tottenham Hotspur, ndërkohë që edhe Bayern Munich dëshironte shërbimet e tij. Gjithsesi, paga e lartë e 29 vjeçarit nuk i krijon hapësira Realit që të shpresojë te një shitje përfundimtare e tij. Madje dhe opsioni i huazimit bie poshtë.