Deputeti demokrat Gazment Bardhi, fajëson kolegët e tij që gjatë përplasjeve në PD u rreshtuan krah Lulzim Bashës, ndërkohë që morën pjesë dhe në protestën e 7 korrikut të thirrur nga Sali Berisha. Sipas tij, kolegët demokratë nuk kanë guxim të përballen me ish-kryeministrin.
Më tej, i ftuar në emisionin “Pikat mbi i”, ish-sekretari i PD dhe sot deputet i thjeshtë, është shprehur se një pjesë e deputetëve kanë harruar betejën me Edi Ramën.
Pjesë nga fjala e Gazment Bardhit:
Në vlerësimin tim ka dy qasje brenda PD. Ne kemi betejën me Edi Ramën ndërsa pjesa tjetër kanë harruar betejën me Edi Ramën dhe e kanë me pjesën që mendon ndryshe brenda PD. Dhe sigurisht sa herë jam ndjerë i cënuar me shpifje, nga zoti Berisha kam vendosur ti përgjigjem dhe këtë do ta bëj edhe në të ardhmen. Një pjesë tjetër ka zgjedhur të rrijë në heshtje edhe kur baltoset nga zoti Berisha.
Fokusi politik i çdo anëtari të PD është beteja me Edi Ramën dhe këtë e bëjmë përditë. Demokratët do të duhet të besojnë atë që bën PD fituese. Ne ekzistojmë për të mundur kundërshtarin tonë politik dhe të fitojmë zgjedhjet.
Ajo pjesë e kolegëve që nuk janë rreshtuar me Berishën është se Berisha nuk bëhet dot alternativë. PD dhe demokratët kurrë në protesta. Ne nuk po flasim për të mbledhur në shesh 10 mijë qytetarë por të bëjmë 800 mijë shqiptarë të besojnë te alternativa e PD. Dhe kjo do shihet në zgjedhje tek alternativa që ofrohet dhe tek lidershipi që përfaqëson. Po i thua qytetarëve që pas 10 vitesh është lidershipi i njëjtë ata që u larguan me votë në 2013 unë nuk e shoh këtë rrugë që e çon PD në pushtet. Këtë do të them edhe në të ardhmen sido të shkojë historia.
Pezullimi i zotit Berisha në gjykimin tim ai duhet ta zgjidhte vetë. Zoti Berisha nuk tregoi se kishte primar interesin e PD. E kam mbështetur atë vendim, e mbështes dhe e shoh si rrugë për të çuar PD përpara.
Secili prej nesh ka kauzën e tij me regjimin e Edi Ramës. Dhe kolegëve që mendojnë ndryshe nga unë kanë kauzë Edi Ramën. Ne në këtë moment jemi në një ngërc. Nuk e dimë kush janë institucionet e PD dhe statuti. Ne nuk dimë kush janë strukturat e PD. Ajo që e quaj tërheqje që në fakt nuk është e tillë është qëllimi ynë për të mos shtuar këtë ngërc brenda PD. Pranuam realitetin e ri të krijuar në shkallën e parë të gjykatës. Duket se ka një lloj qetësie brenda PD. Pala tjetër vazhdoi me të njëjtën rrugë. Me rrugën e përcarjes, proceseve të njëanshme.
Zoti Berisha ka një problem. Ndryshe vepron e ndryshe thotë. Ajo që grupi parlamentar i propozoi zotit Berisha pasi mori selinë e PD ishte ngritja e një grupi të përbashkët pune për të ndërtuar një proces organizimi partie nga baza në qendër dhe ata nuk pranuan. Në këtë kuptim ne shtuam zjarrin e përcarjes. 35 deputetë u përjashtua nga ai proces. Nuk është problemi. Problemi është se mijëra demokratë në gjithë Shqipërinë mbetën jashtë riorganizimit.
Tani nuk mund të thuash hajde asimilou te gjeja ime. Unë e kuptoj konstatimin që një pjesë e deputetëve janë pak konfuzë në qëndrime. Por kjo nuk vjen se nuk kanë të qarta idetë, por vjen nga fakti se zoti Berisha cilindo që mendon ndryshe e shpall tradhëtar, e sulmon dhe unë mirëkuptoj kolegët që jo secili prej tyre mund të ketë guximin për të qenë në sulmin e vazhdueshëm të shpifjeve dhe përbaltjes së zotit Berisha.